Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Afrim Gashi: “Serbia duhet të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë”

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës

“Serbia duhet të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë”

Në një intervistë më të gjatë për gazetën serbe “Politika”, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, flet për zhvillimet politike aktuale në Maqedoninë e Veriut, për krijimin e shumicës së re, por edhe për relacionet e Maqedonisë së Veriut e të shqiptarëve me fqinjët e tyre. Mes tjerash, ai flet edhe për relacionet e Maqedonisë së Veriut me Serbinë, e veçmas për marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët. Këtu më poshtë po e japim pyetjen që ka të bëjë më ketë temë!

Politika: Si i vlerësoni marrëdhëniet me Serbinë? Si mund të avancohen ato?

Afrim Gashi: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Serbisë kanë marrëdhënie të mira, por këtu nuk duhet harruar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë të ndjeshëm kur bëhet fjalë për ato relacione. Siç e dini, ne shqiptarët – edhe pse jetojmë në shtete të ndryshme – megjithatë ndjehemi si një komb dhe dhimbja e secilit shqiptar, në cilindo shqiptar në Ballkan, është e njëjtë. Derisa Serbia ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës dhe nuk pranon të kërkojë falje për gjenocidin e regjimit të Millosheviqit më 1998-1999 në Kosovë, për ne është vështirë e pranueshme të sillemi sikur kjo nuk na tangon fare neve. Ne jemi shumë të lidhur me Kosovën, unë jam me prejardhje nga Kosova, dhe në asnjë rast nuk mund të jemi indiferent ndaj qëndrimeve të tilla të Serbisë ndaj Kosovës.

Ne i respektojmë kufijtë aktualë, madje për shkak të kësaj ne angazhohemi për një Ballkan dhe BE pa kufij, por nuk mund të pranojmë që dikush nga fqinjësia të ketë pretendime ndaj një fqinji tjetër, sepse as kjo nuk është vlerë e Europës, drejt së cilës ne synojmë. Nëse për Serbinë është i rëndësishëm secili serb në Kroaci, në Mal të Zi, në Kosovë, e të mos flas për Bosnjën – edhe për ne është shumë e rëndësishme që secili shqiptar të gëzojë respekt dhe jetë dinjitoze kudo që të jetojë në Ballkan.

Pajtimi kombëtar është i mundur vetëm nëse pranohet faji dhe kërkohet falje. Shqiptarët janë të gatshëm të falin në emër të synimeve të larta, siç janë, për shembull, proceset integruese europiane.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në: https://www.politika.rs/scc/clanak/493063/Alternativa-drzi-kljuc-nove-vlade-Severne-Makedonije