Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ahmetaj-opozitës për uljen e TVSH-së: E keni cilësuar populiste dhe ndihmon oligarkët

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se politikat e qeverisë për menaxhimin e pandemisë janë vlerësuar nga raporti i FMN-së, publikuar në mesin e këtij muaji.

Në përgjigje të akuzave të ngritura në Kuvend nga kreu i PD-së, Lulzim Basha lidhur me menaxhimin e pandemisë dhe borxhin publik, Ahmetaj tha se raporti vlerëson se politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjetet e jetesës.

“FMN thotë se ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë aktivitetet ekonomike po ringrihen fuqishëm. Politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjetet e jetesës, duke i hapur rrugë rimëkëmbjes së vendit. Për shkak të besueshmërisë së qeverisë në mbajtjen e deficitit dhe të borxhit para goditjeve është bërë i mundur zgjerimi dhe furnizimi me financim i të gjitha politikave të qeverisë“, tha Ahmetaj.

Ai i kërkoi opozitës t’i referohej me korrektesë raportit të FMN-së.

“Kur i referoheni raportit të FMN-së, referojuni me korrektesë. FMN thotë se në 2020-ën, Shqipëria, me gjithë dy goditjet tërmetin dhe pandeminë, ishte vendi me uljen më të vogël të rritjes ekonomike dhe këtë vit është me ritmin më të lartë të rritjes ekonomike në rajon. FMN thotë se ruajtëm jetë për shkak të politikave që ndoqëm”, u shpreh ai.

Zv.kryeministri Ahmetaj iu përgjigj edhe kërkesës së opozitës për uljen e TVSH-së.

Sipas tij, një kërkese të kësaj mazhorance kur ishte në opozitë, PD i është përgjigjur se është populiste dhe ndihmon oligarkët.

“Sa i përket taksave, kur ne kemi kërkuar uljen e TVSH-së së ushqimeve, na keni thënë se po ndihmoni oligarkët, se është politikë populiste dhe se çmimet janë instrument i tregut”, tha ai.

Po ashtu, Ahmetaj i kujtoi opozitës së sotme se në 2013-ën e la biznesin e vogël me 10% taksë.

“Sot biznesi i vogël e ka taksën zero”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj deklaroi se me buxhetin e ri do të vihen në zbatim dy politika nga të cilat përfitojnë 15 mijë familje dyfishim dhe trefishim të ndihmës ekonomike.

Po ashtu, ai theksoi se janë 283 mijë fëmijë që i marrin librat falas. “Asnjë si merrte atëherë“, deklaroi Ahmetaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.