Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Albanologët e huaj që u shpallën anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Albanologët Brian D. Joseph, Sir Noel Malcolm, Leonardo M. Savoia dhe José Manuel Floristán Imizcoz janë shpallur anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në mbledhjen e asamblesë pas përfundimit të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, që u mbajt nga data 15-27 nëntor.

Profesor i shquar britanik në shkencën e historisë evropiane të kohës së re, Sir Noel Malcolmi është specializuar në orientalistikë, veçmas për historinë e ish-perandorisë otomane dhe raportet e saj me Ballkanin dhe Evropën.

Veprat e tij më të rëndësishme që i kanë dhënë njohje ndërkombëtare lidhen me popujt e këtij rajoni dhe veçanërisht shqiptarët.

Sir Noel Malcolm prej më se dy dekadash i është kushtuar historisë së shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri gjatë shekujve XVI-XVII. Veprat themelore të tij në këtë fushë janë: 1. Kosovo. A short History (1998) – Kosova një histori e shkurtër; 2. Agents of Empire (2015) – Agjentë të Perandorisë; 3. Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians (2020) – Rebelë, besimtarë, mbijetues: studime në historinë e shqiptarëve.

Sir Noel Malcolm është autor i dhjetëra artikujve shkencorë të botuar në revista të mirënjohura dhe në përmbledhje studimesh kushtuar historisë së shqiptarëve, historisë së popujve të Ballkanit dhe marrëdhënieve mes tyre.

Me veprat e tij, prof. Noel Malcolm ka dhënë një kontribut thelbësor për çmitizimin e historisë, për çmontimin e disa tezave të gabuara mbi të cilat është bazuar shpesh rrëfimi i historisë së vetes dhe tjetrit në historiografitë e vendeve të Ballkanit.

Në veprën “Agents of Empire (2015), Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians”, bazuar në një njohje sovrane të burimeve arkivore, të atyre tregimtare e të literaturës së specializuar, prof. Malcolm jep një kuadër impresionues të historisë së botës adriatiko-mesdhetare e të mbarë Evropës së shek. XVI-XVII duke ndjekur fatet e anëtarëve të familjes shqiptare Bruni nga Ulqini, nga e cila dolën luftëtarë, intelektualë, klerikë e diplomatë të shquar e të vlerësuar sa në oborret Evropës, aq edhe në perandorinë lindore të sulltanëve.

Analizat e prof. Malcolm janë gjithëpërfshirëse, duke u dhënë vendin e duhur faktorëve politikë, ushtarakë, socialë, ideologjikë e kulturorë, të cilët, të gjithë së bashku, lëvizin përpara procesin historik.

Brian D. Joseph është gjuhëtar i njohur amerikan, me kontribute të vlerësuara botërisht në studimet indoeuropeistike, ballkanologjike, helenistike dhe albanologjike. Mban titullin profesor i shquar dhe njihet për sukseset e tij shkencore në gjuhësinë krahasimtare dhe në tudimin e dialekteve, ku shqipja ka zënë gjithnjë e më shumë vend me rëndësi. Duke zbatuar metodat moderne të kërkimit shkencor ai i ka lartësuar cilësisht këto disiplina. Prof. Brian D Joseph ka arritur të ndriçojë anë të padukshme të ndryshimit dhe evolucionit gjuhësor, si dhe të teorisë së morfologjisë. Duke gërshetuar hulumtimin akademik me kërkimin në terren, Brian D. Joseph ka zbuluar anë të panjohura të ndërveprimit të gjuhëve në kufi dhe të rolit të kontaktit ndërgjuhësor në kontekstin e marrëdhënieve të gjithanshme të shqiptarëve me popujt e tjerë të Ballkanit. Si vazhdues i traditës më të mirë amerikane të studimeve shqiptare, ai e ka ndikuar për të nxitur dhe vendosur lidhje të qëndrueshme ndër-albanologjike. Shqipja në kontekst të gjuhëve indoeuropiane; shqipja dhe lidhja gjuhësore ballkanike; shqipja dhe gjuhët me ndikim për shkak të fqinjësisë historike; dialektet e shqipes; shqipja në studime krahasimtare, janë disa nga fushat në të cilat Brian D. Joseph shquhet si kontribues cilësor.

Vetë dhe në bashkëpunim me albanologë, helenistë e indoeuropeistë të shquar ai ka botuar studime të rëndësisë parësore për identitetin, lashtësinë dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, si: Sintaksa e shqipes; Një rikthim tek çështja e origjinës së shqiptarëve; Enigma e fjalëzës shqipe “po”; Zanoret e mesme supletive në shqip në optikën indoeuropiane dhe ballkanike; Shqipja online; Etimologjia e prefiksit “stër” të shqipes). Interesime të rëndësishme për shqipen gjenden edhe në veprat Manual për gjuhësinë krahasuese dhe historike indoeuropiane; Infinitivi në Ballkan në pikëpamjen sinkronike dhe diakronike; Gjuhët ballkanike etj.

José Manuel Floristán Imizcoz është historian spanjoll i Mesjetës, përfaqësues i një brezi të ri studiuesish europianë që i janë kushtuar epokës së ndritur të Renesancës dhe shekujve të humanizmit. Studimet e tij kanë ndriçuar çështje origjinale të marrëdhënieve midis mbretërive europiane dhe ish-perandorisë otomane.

Profesor Floristán prej më se tri dekadash i është kushtuar dhe përkushtuar studimit të historisë shqiptare në epokën e qendresës arbërore kundër invazionit otoman që kishte tronditur gjithë kontinentin.

Studimet e tij, të mbështetura në burime dokumentare që ai vetë i ka zbuluar në arkivat e Spanjës e të Vatikanit, hedhin dritë mbi figurën e Gjergj Kastriotit dhe rolin e tij në mbrojtje të vendit të vet e të qytetërimit europian. Në mënyrë të veçantë ai ka realizuar studime cilësore për interesimin dhe mbështetjen që monarkia spanjolle, sunduese edhe në mbretërinë e Napolit, ofroi për për lëvizjet kryengritëse të shqiptarëve në bregdetin lindor adriatiko-jonian. Studimet e prof. Floristán i kthejnë historisë ngjarje e personazhe përndryshe të panjohur. Ato ndihmojnë të kuptohen proceset historike të zhvilluara në Shqipëri pas epopesë skënderbejane të shek. XV. Këto studime shquhen për mbështetjen në një bazë solide dokumentare e bibliografike dhe në aftësinë për të kryer analiza e përgjithësime, që i hapin rrugë përfundimeve origjinale e me rëndësi në kuptimin e shpjegimin e ngjarjeve historike. Vepra historike e prof. Floristán është gjithashtu produkt i zbatimit të një metode koherente pune, që nis me përcaktimin e një objekti studimi dhe përfundon me analizën e zbërthimin e tij deri në detaj. Mbi 35 artikuj studimorë të tij kushtuar lidhjes së Aragonëve me Kastriotët, interesimeve të mbretërive europiane për qendresën shqiptare, botuar në revistën e mirënjohur Eritrea, e prezantojnë atë si një prej medioevistëve më të shquar të sotëm që i janë kushtuar botës shqiptare.

Leonardo M. Savoia është një nga gjuhëtarët italianë më të shquar dhe më prodhimtarë të kohës sonë, me rezultate vendimtare në fushën e studimeve gjuhësore, vlerësuar me çmime prestigjioze shkencore në Itali dhe në vende të tjera. Profesor, drejtues projektesh shkencore dhe qendrash kërkimore-universitare në nivele të larta, anëtar i Akademisë së mirënjohur Crusca dhe president i zgjedhur i Shoqatës Italiane të Gjuhëtarëve; glotolog në formim dhe albanolog në përkushtim.

Interesimet e tij për shqipen nisën me emërimin e tij si profesor i rregullt në Universitetin e Kalabrisë, ku ra në kontakt me realitetin shqipfolës të komuniteteve arbëreshe, përvojë që e shoqëroi gjatë gjithë veprimtarisë shkencore në fushën e gjuhësinë së përgjithshme dhe të glotologjisë, në sociolinguistikë e pragmatikë, në morfosintaksë dhe sidomos në dialektologjinë italo-shqiptare. Që prej më shumë se katër dekadash ka studiuar të gjitha variacionet e të folmeve arbëreshe, të cilave u ka kushtuar më shumë se 25 artikuj shkencorë. Çmohen po aq studimet e tij për gjuhët dhe dialektet e hapësirës ballkanike, si: Pjesorja dhe paskajorja në të folmen dhe Shkodrës; Morfosintaksa e zanoreve jo-aktive në greqisht e shqip etj. Falë bashkëpunimit me katedrat e albanologjisë të Italisë, prof. Savoia ka ofruar kontributin e tij shkencor me bujari të madhe, si duke marrë pjesë aktive në nismat e seminareve dhe kongreseve, ashtu edhe në aktivitetet e projektet e promovuara dhe të mbështetura nga drejtuesit përkatës.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.