Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Artan Hoxha publikon foton e autorit të vrasjes së Pashk Ujkës/ Si u kthye nga Kosova, konflikti për një banesë

Një 20-vjeçar është ndaluar nga Policia e Shkodrës në lidhje me atentatin ndaj ish-deputetit dhe ish-kryekomunarit Pashk Ujka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së hënës.

Shtetasi Kristjan Kelmendi është ndaluar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Marjan Kola, 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Autori i dyshuar mendohet se kohët e fundit ka pasur një konflikt me viktimën për një borxh.

Gazetari Artan Hoxha publikoi sot në ABC videon ku shfaqen një ditë para vrasjes së Pashk Ujkës, autorët e dyshuar, në një qendër tregtare në Prishtinë.

Babai i Kelmendit këmbëngul se i biri dhe shoku i tij kanë shkuar për ta takuar në Prishtinë dhe se nuk janë të përfshirë në ngjarje. Gazetari publikoi gjithashtu edhe foto të makinës tip Benz, e cila ka qenë e parkuar përpara hotelit në Prishtinë.

“Këta kanë shkuar ta takojnë në Prishtinë. Sipas deklarimeve që i janë marrë babait, ai këmbëngul që shoku i vet dhe Kristiani kanë shkuar për ta takuar. Kanë shkuar në një qendër tregtare. Pyetja që i ka bërë unë është sesi është e mundur që Kristiani është kthyer në Shqipëri”, shprehet gazetari.

Por si shkoi policia te Kristian Kelmendi?

“Familjarët e të ndjerit kanë thënë se mes personave që dyshohet se kanë patur konflikt është edhe Kristian Kelmendi që kanë pasur një bisedë telefonike para disa muajsh dhe ka qenë me ton kërcënues për problemin e një banese që është shitur nga Pashko Ujka.

Kjo banesë i është dhënë familjes Kelmendi më vonë i është kërkuar 30 mijë euro, nuk është bërë pagesa dhe banesa është shitur nga Pashko Uja. Prej asaj kohe siç më tha Aleksandër Kelmendi nuk i kanë pasur marrëdhiet mirë. Policia ka shkuar në fshatin Trushë dhe nuk e ka gjetur Kristianin dhe babin e vet. Kristiani është kthyer në Shkodër më vonë. Ai është vënë në dijeni të faktit se banesa është bastisur. Gjatë marrjes së provave janë gjetur faktorë plotësues në duart e Kristianit, mbetje të baruti”, deklaroi gazetari Artan Hoxha.

KONFLIKTI

Sipas burimeve policore, Pashko Ujka i ka shitur 20- vjeçarit Kelmendi një shtëpi para pak vitesh ku ka jetuar viktima. Ajo banesë në kohën kur jetonin familjarët e ishdeputetit është përfshirë nga një zjarr dhe aty ka humbur jetën një prej familjarëve të viktimës dhe në këtë mënyrë ishdeputeti ka vendosur që ta shesë.

Blerësi është shtetasi Kristjan Kelmendi, i cili pasi ka paguar një pjesë të parave për shtëpinë e blerë, ka pasur për t’i dhënë edhe një shumë prej 30 mijë eurosh. Por biznesmeni Ujka në atë kohë i ka thënë nuk i donte ato para, duke qenë se aty ka humbur jetën një familjar i tij.

Pas kësaj historie, kohët e fundit viktima, për shkak të problemeve ku dyshohet se është futur me borxhe të pashlyera, ka telefonuar 20-vjeçarin, i cili ndodhej në Itali, duke i kërkuar që t’i japë shumën prej 30 mijë eurosh. Por 20-vjeçari ka kundërshtuar kërkesën duke thënë se është një bisedë e mbyllur mes tyre.

Sipas dyshimeve, ish-deputeti i ka thënë se nëse nuk i kthen paratë në pak kohë, do t’i nxjerrë familjen jashtë nga shtëpia që i kishte shitur. Palët kanë debatuar mes tyre dhe më pas 20-vjeçari Kelmendi dyshohet se ka ardhur nga Italia dhe ka ruajtur ish-deputetin duke e qëlluar mbrëmjen e 29 nëntorit afër banesës së tij, në një lulishte pranë zonës së këmbimit valutor.