TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se kriza globale e energjisë nuk është çështje politike, por krizë e pamohueshme dhe që parashikohet të zgjasë.

Balluku teksa prezantoi në Kuvend marrëveshjen e huas me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prej rreth 70 milionë eurosh për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) ftoi opozitën ta miratojë atë.

Sipas ministres, huaja e BERZH-it do të përdoret për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia si dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri në qendër të Tiranës.

Balluku tha se afati i shlyerjes së kredisë është 5 vite.

Ministrja foli edhe për garancinë prej 10 miliardë lekësh që qeveria vendosi për kompaninë OSHEE për të bërë të mundur blerjen e energjisë elektrike dhe sigurimin me furnizim pa ndërprerje për qytetarët.

Po ashtu, ajo theksoi se në vitin 2022 nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël, pasi kostoja do të amortizohet nga qeveria.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.