TIRANË 19 tetor /ATSH-I.Vata/ Sekretari Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se, do të depozitojmë nesër në Kuvend, tre amendamente kushtetuese: vetingun e politikanëve, Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.

Në një komunikim me mediet, Bardhi tha se “grupi parlamentar i Partisë Demokratike dje vendosi që gjatë javës të depozitojë disa amendamente kushtetuese për tri çështje madhore në interes të qytetarëve”.

“Së pari, pastrimin e politikës nga të korruptuarit dhe individët me lidhje me krimin e organizuar. Së dyti, rikthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve përmes ndryshimeve kushtetuese. Dhe së treti, një reformë të re territoriale që afron më shumë shërbimet tek qytetarët. Sot grupi i punës u mblodh për të finalizuar amendamentet. U ra dakord për të gjitha çështjet, që grupi parlamentar të autorizojë anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve dhe vendosi që ditën e nesërme të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda: Vetingun e politikanëve, reformë territoriale dhe reformë zgjedhore”, theksoi Bardhi.

Bardhi tha se “të trija çështjet, e ripërsëris, nuk janë çështjet të interesit për Partinë Demokratike, janë çështje në interes të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur momenti dhe është ekzaktësisht ky momenti për të siguruar që në institucionet më të larta shtetërore në parlament, në qeveri, në institucionet kushtetuese të kemi persona të palidhur me krimin e organizuar dhe persona që nuk janë të korruptuar dhe nuk kanë vënë pasuri të paligjshme për shkak të funksionit, sikundër edhe një reformë zgjedhore të plotë që garanton zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe një reformë territoriale që çon shërbimet atje ku qytetarët janë dhe anasjelltas, siç është aktualisht pushteti vendor. Nesër ju do të njiheni edhe me propozimet tona të plota për të trija çështjet. Ajo që ka rëndësi është që grupi i punës sot ka autorizuar depozitimin e këtyre amendamenteve gjatë ditës së nesërme”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.