TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i shoqëruar nga drejtues dhe deputetët e PD-së, ka kryer homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një prononcim për mediet pas homazheve Basha tha se “sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi”.

“Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës evropiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci”, – tha Basha.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.