TIRANË, 30 nëntor/ATSH/  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se emërimi i Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nga Papa Françesku, është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për besimtarët katolikë.

Basha shprehu bindjen se Imzot Dodaj çojë përpara detyrën e tij të shenjtë.

“Jam i bindur se Imzot Dodaj do ta çojë përpara detyrën e tij të shenjtë me të njëjtin përkushtim që e ka dalluar rrugëtimin e tij në krah të të pamundurve e të mënjanuarve të shoqërisë sonë.
Duke shprehur mirënjohjen time më të thellë për punën e shkëlqyer të kryer nga paraardhësi i tij, Imzot George Frendo, i uroj mbarësi Imzot Arjan Dodaj në shërbesën e tij të re, për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në Shqipëri”, theksoi Basha.

Papa Françesku emëroi sot meshtarin e mirënjohur, don Arjan Dodaj në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.