Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Basha takon Gërvallën: Mbyllja e dialogut me njohje respektive, interesi i gjithë rajonit

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Gjatë takimit Basha vlerësoi procesin zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar atë si model dhe  një leksion demokracie edhe për Shqipërinë.

Basha dhe Gërvalla ndanë mendime të njëjta mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscenimit të integritetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, unitetin politik me të cilin Kosova duhet të përfaqësohet në këtë dialog.

”Mbyllja e dialogut me njohje respektive është interesi i gjithë rajonit. Kontributi i parë që BE mund të japë në dialog është të bindë 5 vendet anëtare ta njohin Kosovën”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati theksoi se Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë se interesat e Kosovës në marrëdhëniet rajonale.

“Sikurse kanë treguar zhvillimet e fundit, nisma e Novisadit është konceptuar si makiazh i imazhit të Serbisë, ndërsa Beogradi siç dëshmojnë ngjarjet e këtyre javëve nuk ndahet nga fantazmat e së kaluarës duke risjellë platforma si ajo e Botës Serbe”, u shpreh Basha.

Po ashtu, u diskutua mbi Luginën e Preshevës, pasivizimin e adresave dhe diskriminimin që u bëhet shqiptarëve. Basha përsëriti qëndrimin e tij, se Shqipëria duhet të mbrojë dhe mbështesë fuqimisht interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Serbi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.