Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Bashkëpunimi me PNUD, edhe më shumë zhvillim në të ardhmen

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka priti sot në një takim me Përfaqësuesen e re të PNUD në Shqipëri, Monica Merino Dominguez.

Xhaçka shprehu bindjen se bashkëpunimi mjaft i mirë ekzistues me PNUD do të njohë dhe më shumë zhvillim në të ardhmen.

“Kënaqësi takimi me Përfaqësuesen e re të PNUD në Shqipëri, Monica Merino Dominguez. Duke i uruar një mandat sa më të suksesshëm, shpreha bindjen se bashkëpunimi mjaft i mirë ekzistues do të njohë dhe më shumë zhvillim në të ardhmen”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Ndërsa PNUD në një njoftim për mediet bëri të ditur se, Monica Merino i dorëzoi kredencialet e saj si Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri tek Olta Xhaçka, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Ministrja Xhaçka i uroi mirëseardhjen Merinos dhe mori letrën e saj të emërimit të lëshuar nga Administratori i PNUD-it, Achim Steiner.

“Jam e nderuar të filloj detyrën time si Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri. PNUD-i, i cili sapo ka shënuar 30-vjetorin e pranisë së tij në Shqipëri, gëzon një partneritet të fortë dhe afatgjatë me Qeverinë dhe popullin e Shqipërisë. Programi i PNUD-it është në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit të Shqipërisë, duke përfshirë atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Mezi pres të vazhdojmë partneritetin tonë të shkëlqyer për të mirën e të gjithë shqiptarëve”- tha përfaqësuesja e sapoemëruar e PNUD-it.

Përpara këtij emërimi, Merino ka qenë Zëvendës Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në El Salvador nga 2017 deri në 2021.

Ajo gjithashtu ka shërbyer si Këshilltare Speciale në Qendrën Rajonale të Panamasë (2016-2017), si Zëvendës Përfaqësuese e Përhershme dhe Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Nicaragua (2014-2016), dhe si Zëvendës Përfaqësuese e Përhershme në vazhdimësi në UNDP Ekuador (2011-2014), UNDP Argjentinë (2008-2011) dhe UNDP Mozambik (2006-2007).

Ajo filloi karrierën e saj si Ndihmës Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Honduras (1999-2006).

Merino ka një diplomë Master në Ekonomi dhe Financa Ndërkombëtare nga Universiteti Brandeis, SHBA. Ajo gjithashtu ka një diplomë bachelor në Ekonomi nga Universidad Nacional de Honduras. Ajo flet spanjisht dhe anglisht. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.