Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Berisha hedh akuza për Yuri Kim dhe thotë se u shpall “non grata” për faj të Soros dhe Ramës

Sali Berisha ka dhënë një intervistë për gazetarin e njohur amerikan, L. Todd Wood.

Në intervistn  për emisionin “Information Operation’ në CDMedia, Berisha ka hedhur akuza mbi ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke e cilësuar anëtare të Partisë Socialiste.

Ndërkohë që nuk ngurroi që të hedhte akuza edhe mbi George Soros, për të cilin u shpreh se bashkë me kryeministrin Edi Rama po tentojnë që të kapin drejtësinë shqiptare.

“Ajo ndërhyn jo vetëm në politikën shqiptare në përgjithësi, por edhe në problemet e brendshme partiake duke bërë kërcënime, duke u shprehur se nuk ju njohim, etj. Megjithatë, vullneti i shqiptarëve do të mbizotërojë. Unë kam besim se Shqipëria do të ketë një opozitë të vërtetë të fuqishme dhe jo fasadën e narko-shtetit që ka aktualisht”, tha në fjalën e tij Berisha.

Pjesë nga intervista

Në thelb, është një krim i organizuar. Për këtë bëhet fjalë. Është një sindikatë e krimit të organizuar.

Po të dëgjoni analistët e mediave ndërkombëtare, Shqipëria është bërë i pari dhe i vetmi narko-shtet në Evropë. Është një protektorat i krimit lidhjet e të cilit shkojnë drejtpërdrejtë deri te kryeministri. Përveç kësaj, kontradikta ime me Sorosin lidhej me politikën e tij të jashtme në Ballkan. Sorosi ka politikën e vet të jashtme. Ai nxiti ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, duke hapur kështu Kutinë e Pandorës dhe duke shfrytëzuar projektet e vjetra të Millosheviçit për të bërë këtë ndryshim. Unë e kam kundërshtuar fuqishëm.

Pra, më lejoni t’ia shpjegoj publikut. Juve ju futën në listën e zezë dhe ju ndaluan të hyni në SHBA duke ju quajtur armik të SHBA-së dhe kriminel. Dhe kjo u bë nga DASH që drejtohet nga Anthony Blinken, i cili ka lidhje me Sorosin. Saktë?

Kur lexova mesazhin në Twitter të Sekretarit Blinken, që thoshte se kisha kryer korrupsion në shkallë të lartë dhe kisha minuar demokracinë, u habita jashtë mase. Reagova, sigurisht. I shkrova një letër dhe shpjegova se kjo ishte vepër e George Sorosit, e veglës së korruptuar të Sorosit, Edi Ramës, dhe gjithashtu vendosa t’i drejtohem Gjykatës Ndërkombëtare dhe të padis për shpifje. Jo për vendimin që ai e merr në cilësinë tij për të përcaktuar se kush mund të hyjë e kush jo në vendin e tij, për sa kohë që ai është Sekretari i Shtetit. Por, shpifja nuk mund të përdoret kurrsesi për të ushtruar detyra zyrtare.

Me sa di, kongresmen Zeldin i ka kërkuar Blinkenit 3 herë informacion përse ju konsideroheni kriminel dhe Departamenti i Shtetit nuk ka siguruar asgjë deri tani.

I jam mirënjohës kongresmenit Zeldin. Ju siguroj ju dhe kongresmenin Zeldin se ata nuk do të mund të paraqesin asnjë provë të vetme, apo dokument, apo çfarëdolloj gjëje që ta vërtetojë këtë. Rasti im është unik. Më kanë penalizuar 8 vjet pasi kam dhënë dorëheqjen nga çdo detyrë drejtuese, nga çdo pushtet ekzekutiv. Më ndodhi mua, pasi kurrë nuk jam akuzuar apo paditur në Shqipëri apo jashtë vendit për korrupsion. Më ndodhi mua, kur një zyrtar i lartë i SHBA-së që asokohe ishte kryekëshilltar i Bideni-it më lavdëroi kaq shumë për sukseset kundër korrupsionit. Më ndodhi mua, 3 javë pasi kandidatura e partisë që unë mbështeta humbi zgjedhjet. Pra, u bë me qëllim për të shkatërruar opozitën në Shqipëri.

Kanë frikë se mos ju ktheheni në pushtet dhe u thoni shqiptarëve se çfarë është duke ndodhur realisht.

Pastaj vendosa të kthehem. Kam një mbështetje të fortë. Ambasadorja e SHBA-së duket se është kthyer në një anëtare partie e partisë tjetër.

Ajo ndërhyn në politikën shqiptare?

Ajo ndërhyn jo vetëm në politikën shqiptare në përgjithësi, por edhe në problemet e brendshme partiake duke bërë kërcënime, duke u shprehur se nuk ju njohim, etj. Megjithatë, vullneti i shqiptarëve do të mbizotërojë. Unë kam besim se Shqipëria do të ketë një opozitë të vërtetë të fuqishme dhe jo fasadën e narko-shtetit që ka aktualisht.

Aktualisht është një opozitë e kontrolluar, sipas jush.

Është tërësisht e kontrolluar nga qeveria dhe shumë faktorë të tjerë.

Na thoni për votën e ardhshme. Çfarë po bën ambasadorja? Duket se po e kërcënon partinë tuaj.

Anëtarët e partisë po kërcënohen duke u thënë që nuk do t’u japim viza. Shumë prej tyre e dinë që janë nën kërcënim, por ata kanë vendosur të më mbështetin. E dinë se vendi ka nevojë për një opozitë të vërtetë. Ne kemi mbledhur më shumë se 60% të të gjitha firmave të delegatëve të Konventës. Ajo do të zhvillohet më 11 dhjetor. Pasi i mblodhëm firmat, kryetari i partisë, që është në duart e qeverisë deklaroi se do të thërrasë një Konventë më 18 dhjetor. Asnjë nuk po i përgjigjet. Megjithëse me vështirësi, ne do të organizojmë një opozitë të vërtetë në vendin tim që të jetë e lirë dhe të ruajë vlerat te të cilat besojmë. Ne jemi parti konservatore dhe i mbështesim vlerat dhe miqtë tanë.

Pra, ju do ta merrni vetë partinë dhe do t’i ktheheni politikës.

Nëse partia më do, patjetër që po. Siguroj çdo anëtar të partisë sime se do të jetë një garë e hapur dhe e lirë. Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në këtë garë është i mirëpritur.

j.l./ dita