Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Bino, apel të rinjve të vaksinohen: Mbi 2.2 milionë vaksina antikovid në vend

TIRANE, 22 tetor/ATSH/ Drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha sot se “procesi i vaksinimit vazhdon dhe aktualisht në vend kanë ardhur mbi 2.2 milionë vaksina”.

Në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino tha se “janë kryer mbi 1.8 milionë vaksinime dhe mbi 900 mijë vaksinime me doza të para. duke e sjellë mbulesën vaksinale për grupin target mbi 18 vjeç në 44% dhe 38% në rang kombëtar vetëm me një dozë”.

Sipas saj, vihet re një rritje e përdorimit të vaksinës Pfizer, cila po i afrohet përdorimit të Coronavac.

“Nga pikëpamja e grupmoshave vërejmë në javët e fundit rritje të grupmoshës nga 18-25 vjeç dhe 25-30 vjeç pavarësisht se mbulesa në këtë grup mbetet e ulët për shumë arsye që kemi diskutuar”.

Bino u bëri apel studentëve dhe të rinjve që të vaksinohen, pasi sipas saj vaksina është e sigurtë për ta, krijon imunitet, parandalon në një farë mënyre edhe transmetueshmërinë duke qenë se ngarkesa virale është më e ulët tek personat e vaksinuar.

“Të gjitha këto e bëjnë vaksinën të domosdoshme. Covidi dëmton, vaksina nuk dëmton”, shtoi ajo.

Bino bëri të ditur gjithashtu se bashkitë që kanë mbulesën më të mirë vaksinale janë bashka e Gjirokastrës 78% me një dozë dhe 72% me dy doza. Kjo bashki po arrin nivelet europiane. Po ashtu edhe Tepelena, Puka dhe disa bashki në veri e jug të vendit kanë mbulesën më të mirë vaksinale.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se “incidenca dyjavore në Shqipëri është 222  raste te reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhë në 6 444 nga 6 397 që i përkon shifrës 226 raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48. Raporti meshkuj femra i rasteve të konfirmuara mbetet sërish 48% dhe 52%”.

Sipas saj, mesatarja ditore e rasteve të shtruara në harkun një javor është 157, ndërsa në dy javor 156.

Drejtoresha e ISHP-së tha se “vijon procesi i vaksinimit, me rritjen e numrit të vaksinave të aplikuara. Totali i dozave të aplikuara është 1 860 335 me një dozë 991 371 dhe me dy doza 868 974”.

Fico i bëri thirrje studentëve të vaksinohen. “U bëjmë thirrje studentëve të vaksinohen duke qenë se në univeristetet respektive kanë edhe skuadrat e vaksinimit. Të mos harrojmë edhe zbatimin e masave si mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura, distanicimin, etj”, tha Fico.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.