TIRANË 28 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputeti i PS-së, Erion Braçe deklaroi sot se duhet veting penal për Lulzim Bashën, për vrasjen e 4 qytetarëve në mes të bulevardit, jo për ta larguar nga politika por për ta dërguar në burg.

Në fjalën e tij në Kuvend duke folur për vetingun në politikë Braçe tha se “në përgjigje të asaj që tha Basha, do doja të thoja se mu bën nja 30 vjet pune dhe jam krenar, që si kam rënë kujt në qafë dhe do vazhdoj të punoj ashtu siç kam punuar. Kam qenë edhe zv. kryeministër e kam bërë në përmbushje të interesit publik, me zor njeri një detyrë për të vrarë njerëz nuk më ka mbajtur, për të më përdorur për të vrarë njerëz në mes të ditës, nuk ka ndodhur dhe s’do ndodhi kurrë”.

Braçe theksoi se “nuk arrij të kuptoj se çfarë do të thotë veting politik, ka vetëm një veting, veting penal për të gjithë, veçanërisht për ata që vrasin”.

Braçe i kujtoi Bashës 4 vrasjet në Bulevard në 21 janar, kur Basha ishte ministër i Brendshëm.

“Një veting, që e bënë patjetër prokuroria dhe jo për të larguar nga politika por për të çuar në burg si shpagim për gjakun e atyre 4 njerëzve të pafajshëm të vrarë në mes të bulevardit. Ky është vetingu”, thekson ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.