Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Braimllari: Situata e mbetjeve në Shqipëri, dramatike

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, “situata e mbetjeve në Shqipëri është dramatike, dhe po përkeqësohet nga dita në ditë, duke rrezikuar rëndë jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por dhe ambientet publike që po pushtohen nga plehrat”.

Duke reaguar ndaj takimit të kryeministrit Rama me kryetarët e bashkive për çështjen e mbetjeve, Braimllari theksoi se, “kryeministri bën propagandë dhe mashtron opinionin publik”.

“Përgjegjësi kryesor për këtë situatë shumë të rëndë në vend është vetë Edi Rama. Të gjitha vendimet e qeverisë që ai drejton janë vendime abuzive dhe shpërdorimi të fondeve publike”, tha ai.

“Qeveria e Edi Ramës ka shpenzuar qindra miliona euro për djegien e mbeturinave me inceneratorët dhe jo vetëm por situata vijon të jetë tragjike. Kosto e inceneratorit të Elbasanit është 40 milionë euro, e atij të Fierit rreth 35 milionë euro dhe e incerenatorit të Tiranës 300 milionë euro”, tha Braimllari.

Braimllari theksoi se, “faktet janë në dritën e diellit dhe pasojat shumë të rënda i shikojmë dhe i prekim vetë çdo ditë.”

Braimllari nënvizoi se SPAK duhet të veprojë urgjentisht. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.