BRUKSEL, 28 tetor /ATSH-AA/ – Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mbështet përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës dhe se mbetet e përkushtuar për tejkalimin e konfliktit palestinezo-izraelit bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh u takua ndaras në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell.

“Gjatë bisedimeve, ne u fokusuam në përpjekjet për formimin e shtetit palestinez dhe temat rajonale. Konfirmova angazhimin e BE-së për një zgjidhje të bazuar në krijimin e dy shteteve”, tha Michel në rrjetet sociale pas takimit me Shtayyeh.

Zyra e Borrellit tha se kreu i diplomacisë evropiane vuri në dukje se BE-ja vazhdon të mbështesë popullin palestinez dhe krijimin e shtetit të Palestinës.

Borrel theksoi se BE-ja mbron rifillimin e bisedimeve paqësore palestinezo-izraelite për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë në këtë fushë.

Shefi i diplomacisë evropiane theksoi se vendimi i fundit i autoriteteve izraelite për përfshirjen e 6 organizatave joqeveritare palestineze në listën e organizatave terroriste është shqetësues. Ai njoftoi se BE-ja do ta shqyrtojë këtë rast./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.