TIRANË, 19 tetor /ATSH – I. Vata/ Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela deklaroi nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjarët dhe bizneset e lidhur në tensionin e ulët.

Ai theksoi se, çmimi për abonentët familjarë do të vazhdojnë ta ketë tarifën 9.5 lekë dhe rreth 176 mijë biznese do vazhdojnë ta kenë tarifën 14 lekë.

Çela gjatë një interviste televizive tha se, kriza energjetike është globale.

Çela tha se, “në tremujorin e vjeshtës ne jemi vend importues i energjisë sepse nevojat e vendit nuk plotësohen me kapacitet hidrike që prodhojmë ne. Kështu ne ose do importojmë gjatë gjithë viti kur është vit shumë i thatë ,2017, 2019, 2020 dhe prodhimi i KESH dhe i Heceve ka qenë më i ulët se parashikimet ose do importojmë në këtë periudhë të viti dhe kjo do na impaktojë”.

Çela deklaroi se nuk ka rritje të çmimit të energjisë.

“Nuk ka arsye të fillojë rritja e çmimeve sepse ne sot nuk kemi prekur asnjë tarifë sepse deri me 31.12 tarifat janë këto të aprovuara nga Enti Rregullator, pastaj dhe qeveria dhe Enti i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike apo Operatori të Shpërndarjes ka bërë aplikimin për tarifa dhe ashtu siç ka deklaruar dhe Kryeministri të gjithë klientët që janë të lidhur në nivelin me tension të ulët nuk do ti preket tarifa. Që do të thotë abonentët familjarë do të vazhdojnë ta kenë tarifën 9.5 lekë dhe të gjitha bizneset që janë të lidhur në këtë nivel tension qofshin të vogla apo të mëdha, janë rreth 176 mijë biznese do vazhdojnë ta kenë tarifën 14 lekë. Pjesa tjetër që janë të lidhur me tension të mesëm janë pjesë e reformës që nuk nisi, por të reformës së nisur para 4-5 vitesh që me aprovimin e ligjit të sektorit energjetik në vitin 2016 që janë pjesë e procesit të liberalizimit”, tha ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.