Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Çfarë do të sjellë 11 dhjetori i Sali Berishës…

Bedri Islami

Botuar në DITA

Në 11 dhjetor Sali Berisha do të mbledhë Kuvendin e tij. Do e bëjë këtë 31 vite pas demonstrimeve studentore dhe fillimit të ngritjes së PD-së, si forcë politike. Ndoshta, dhe unë besoj se, po, ai i ka mbledhur aq firma sa i duhen për të patur një kuvend, e ndoshta edhe më shumë se kaq. Si njeriu  që ka luajtur si ka dashur me historinë e partisë, statutin , njerëzit rreth e rrotull, të përjashtuar dhe të lënduar, ai është tani një i leçitur i madh nga vetë njerëzit e tij dhe, do të ishte naivitet të mos pritej kundërgoditja e tij.

Sali Berisha është ndoshta njeriu më hakmarrës i politikës shqiptare në pluralizëm dhe ka qenë fat i bardhë që nuk ka pasur këtë forcë edhe në monizëm. E gjithë karriera e tij politike është e përmbledhur në pak rreshta, i frymëzuar prej idesë së pushtetit ai ka bërë gjithçka ka mundur , të vërtetën, ndërgjegjen, lirinë, miqtë për të sunduar, jo për të qeverisur, atë që nuk e harron, nuk e ka falur kurrë dhe ka pasur kujtesë të mrekullueshme. Moto e tij e politikës ka qenë “ pas meje le të bëhet qameti” dhe të gjitha këto ditë janë dëshmi e motos së tij.

Lulzim Basha është edhe më i keq nga ai, megjithëse nuk ka forcën e tij goditëse, por është më tinzar, më bizantin, më i lidhur me të keqen dhe më i fshehtë. Nëse Berisha të godet në çastin e zemërimit dhe të goditurit prej tij janë të shumtë: nga 335 themelues të PD ka mbetur vetëm njëri, ai vetë; Basha të godet në momentin e fundit, duke e ruajtur hakmarrjen në pjatën e fundit, të ftohtë.

Të dy janë të pasur, por ndërsa njëri mundohet të fshihet pas gjysmë të dhënave dhe pasurisë së fëmijëve të tij, Basha as nuk e merr mundimin të deklarojë, sipas ligjit, pasurinë që ka vënë që nga viti 2005, kur u bë ministër. Arroganca ndaj pushtetit ka sjellë dhunën, përplasjet dhe mizorinë ndaj besimit në shtetin që kanë dashur ta mjelin, duke bërë se e qeverisin.

Berisha do të bëjë kuvendin e tij me 11 dhjetor. Në secilën ditë ai ka ndjellë pasues të rinj, megjithëse shumë po ikin nga rreshtat e fundit të radhëve të vënë pas tij. Bërthama e emëruar drejtuese e opozitës në përgjithësi mbështet Bashën, sepse pa Bashën do të jenë askush. Të zemëruarit dhe disa loajalë mbështetin, qoftë edhe në heshtje Berishën. Petët që kanë nisur të ia heqin njëri tjetrit do të jenë gjithnjë e më të zbuluara. Justifikimi i pjesës zyrtare të PD-së se kjo që do të ndodhë në 11 dhjetor do të jetë miting e jo kuvend, pasi vetëm ata kanë në duar çelësat e çfarëdo kuvendi, është lojë fëmijësh dhe strukje e kokës në rërë. Për më tepër, lëvizja e gjakut e Berishës nuk kanë qenë kuvendet, por mitingjet. Berisha pa mitingje është i humbur. Kaq e madhe është mëria e Berishës ndaj Bashës, saqë do të kishte pranuar edhe një disfatë tjetër të opozitës për të arritur fitoren e tij të brendshme.

Por a mund të sjellë fitore Berisha?

Absolutisht, jo. Njëjtë si Basha, megjithë keq qeverisjen e tanishme, ata janë të humbur. Të humbur kur anë veç e veç, të humbur edhe nëse bëhen bashkë., çka duket e pamundur.

Që Lulzim Basha nuk sjell dot fitoren me gjysmë partie që i mbetet pas 11 dhjetorit, kjo dihet, pasi ai nuk është aq i interesuar për fitoren e partisë së tij, sa është për pasurinë e tij. Humbjet e partisë i shfaq dhe i justifikon me masakra zgjedhore, të fshehtën e pasurisë së tij e mbron përmes arrogancës së liderit të opozitës dhe favorit që i bën shefi i qeverisë.

Po Berisha?

Turma demokratikasish vejnë e vijnë pas tij gjithnjë me shpresën se të paktën do të kthehen edhe një herë në qeveri. Janë lodhur nga të qenurit në opozitë, çka do të thotë larg pushtetit dhe pasurisë. 8 vite duruan si duruan, por 12 vite janë shumë, aq më tepër kur nuk i dihet se sa mund të vazhdojë.

Berisha, si drejtues i opozitës ka fituar vetëm një herë, në 2 mars 1992. Ishte fitore si e PIRROS, sepse pas disa muajve erdhi humbja e parë. Në 22 mars do të kishte fituar kushdo, më shumë ishte ndëshkim ndaj sistemit ku ai vetë kishte qenë pjesë, se sa besim, pasi besimi humbi shumë shpejt.

Asnjëherë tjetër nuk ka fituar. Në 2005 u kthye në pushtet pasi e majta u nda në dy pjesë dhe lindi paterica Meta, nën siglën e LSI-së. As korrupsioni dhe lehtësia e qeverisjes Nano nuk kishin kthyer besimin te Sali Berisha. As KOP-i dhe rikthimi i figurave të dëbuara nuk e bëri atë më të besueshëm. Askush nuk kishte harruar mentalitetin e tij qeverisës dhe, sidomos, vitin e mbrapshtë 1997. Ndarja e së majtës, një sëmundje gërryese solli Berishën në pushtet, që dy herë, në një mandat qeverisës, vodhi zgjedhjet , një herë politike, në vitin 2009, dhe, herën tjetër, për të larë mëkatet e Bashës, zgjedhjet vendore në kryebashkinë e vendit, Tiranë.

Në vitin 2009, edhe për një figurë të nderuar, më intelektuale se sa gjithë deputetët e së djathtës së bashku në Shkodër e jo vetëm, Gilman Bakalli, i rreshtuar në një kah tjetër politik, doli se nuk e kishte votuar as familja e tij dhe as vetja. Asnjë kuti nuk u hap, asnjë demarsh nuk u bë, fletët e votimit u dogjën buzë lumit, si shenjë se për pushtetin unë djeg gjithçka.

Riciklimi i Berishës është riardhja e së keqes dhe e humbjes së PD-së, në mënyrën më katastrofale të mundshme. Ndoshta kjo, në një plan afat gjatë, do i bënte mirë asaj, sepse u lind si forcë politike pa asnjë bosht, vizion e mendim, por do të ketë të keqen e lënies së fushës së lirë të qeverisë për të rritur agresivitetin, pa përgjegjësinë dhe korrupsionin e saj, që edhe kështu po bëhet i padurueshëm.

Ardhja e Berishës në drejtim është ëndrra më e bukur e Edi Ramës, si gjithnjë mbetet politikan më me fat; por edhe qëndrimi i Bashës, kështu si është, statik, i fryrë, megolloman dhe i fshehtë është fati i tij. Por, ndërsa i dyti mund të lëvizë apo të ketë një rrahje shpatullash nga politika amerikane, Berisha është i humbur që në gjenezë.

Berisha nuk ka kundër as Edi Ramën, as Soros, as Blinken, e as ambasadoren Juri Kim.

Për Edi Ramën ai është një fantazmë që mundet lehtësisht.

Për Soros është i papërfillshëm. Miliarderi kozmopolit luan në fusha të tjera.

Për Blinken është një politikan i korruptuar në nivel të lartë, minues i demokracisë dhe përndjekës i drejtësisë.

Për ambasadoren Kim, lajmëse e Departamentit të Shtetit, ai është si gjithë të korruptuarit e tjerë, drejt të cilit dërgon lajmin e ndëshkimit.

Ndeshjen e madhe Berisha e ka në dy drejtime: me shtetin amerikan, që përmes institucionit të tij më të rëndësishëm, Departamentit të Shtetit, ka bërë shpalljen e tij publike. Berisha është një person non grata familjarisht.

Departamenti amerikan i shtetit nga listat e zeza të tij deri tani në Ballkan ka hequr vetëm një njeri. Ali Ahmetin. E vendosi emrin e tij kur ai ishte në luftë, e hoqi kur ai në vend të luftës së mëtejshme, që e kishte fituar, zgjodhi paqen. Të gjithë të tjerët janë në listë edhe sot e kësaj dite. Ndryshe nga lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i cili ndjell paqen ndaj fiton që prej 20 viteve në të gjitha betejat politike, Berisha, edhe kur flet, ndjell luftën dhe kur i rrezikohet pushteti e kërkon luftën me mjete luftarake. Viti 1997 e dëshmoi këtë, ashtu si grushti i shtetit i vitit 1998. Asgjë tjetër të mos kishte bërë ai në dëm të Kosovës, se atë çka synoi të  bëjë në shtatorin e vitit 1998, do të ishte e mjaftueshme të jetë i padëshiruar në pjesën tjetër të kombit. Si duket Rugova e kuptoi më herët këtë, Thaçi e dinte, por e shfaqi kur mendoj se kishte ardhur koha e duhur. Për herë të parë Rugova ishte në kohën e duhur, Thaçi ishte i vonuar.

Berisha nuk mund të jetë njeriu i paqes, kur dëshiron luftën. I pabesueshëm ai nuk është prej sodit, por që n krye të herës. Ambasadori Rajerson është ndër më të zhgënjyerit prej tij, ndërsa ambasadorët e tjerë ikën dhe erdhën të zhgënjyer.

Të fitosh luftën në partinë tënde nuk do të thotë se je i besuar në një luftë tjetër. Përkundrazi, edhe nëse fiton, je i humbur.

Nëse demokratikasit mendojnë se me ardhjen në pushtetin opozitar të Berishës do të jenë edhe në pushtetin qeveritar, bëjnë mirë të mësohen me idenë se do të jenë nën qeverisjen e së majtës shumë gjatë.

Berisha nuk do më as paqe, as arsye, as lumturi njerëzore, por pushtet dhe hakmarrje.

Edhe nga  kjo demokratikasit dalin të humbur.

11 dhjetori i Sali Berishës, edhe duke fituar, do të sjellë humbjen. Veç do të jetë humbje pa ringritje!

Berishës i duhet pushteti, më saktë, e lakmon pushtetin për të ruajtur veten, sidomos familjen e tij nga mëkatet dhe fshehur pasurinë.

Edhe kjo i dëmton demokratikasit.

Por mëkatet e familjes Berisha nuk janë mëkatet tuaja!

Pasuria e familjes Berisha nuk është pasuria juaj!

Lufta e familjes Berisha nuk është lufta juaj!

Ka ardhur koha që të mësoni këto tri të vërteta të thjeshta!

____________

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016