Albania

Dhimitër Shuteriqi – mjeshtër i fjalës dhe Diogjen i qytetërimit shqiptar

Nga Dhimitër Shtëmbari

Qesh menduar dy–tri ditë për të vendosur t’i shkoja për vizitë në shtëpi Prof. Dhimitër Shuteriqit. Më bëhej sikur do t’i shkoja në familje Jeronim De Radës, apo Naim Frashërit, Nolit të madh apo ndokujt tjetër të sërës së këtyre.

Gjithsesi, vendosa. Komunikova përmes telefonit fiks të shtëpisë së tij. Nga përtej dëgjova të më përgjigjej: “Po”. “Jam Dhimitër Shtëmbari, – i them, – dhe ju flas nga redaksia e gazetës “Kushtrim brezash”. Në qoftë se keni kohë të më prisni, kisha kënaqësi t’ju vija për takim qoftë dhe për disa minuta”. “Kënaqësia është e imja”, – ma ktheu. Dhe shtoi: “Kur mendoni të vini?” “Ja, u nisa profesor! Për një çerek ore, më keni aty”.

Dhe u nisa. Sapo i rashë ziles së shtëpisë, ai, sikur të më priste prapa derës, menjëherë m‘u shfaq përpara.

– Urdhëroni brenda! – m’u drejtua pasi më takoi gjithë përzemërsi.

Dhe më udhëhoqi për në dhomën e tij të punës.

– Qenkeni i ri, – m’u drejtua, – sepse, nisur nga gazeta ku punoni, kisha përshtypjen se do të ishit i moshuar.

Mënjanoi një libër me fletë të zverdhura, të cilin, me sa kuptohej, ishte duke e lexuar, dhe m’u drejtua sërish.

– “Kushtrim brezash”… “Kushtrim brezash”… Gazetë me emër të bukur… Thjesht për kuriozitet: kush e ka pagëzuar me këtë emër kaq domethënës?

Teksa më drejtoi këtë pyetje, më zuri ngushtë. Përgjigjen e kësaj pyetjeje s’e kishim marrë plotësisht të saktë as aty ku punonim, në redaksi. Sidoqoftë, një lloj përgjigjeje duhej t’ia jepja

– Janë disa që pretendojnë se e kanë pagëzuar këtë gazetë, profesor, por për mua “kumbar” është Pipi Mitrojorgji.

Dëgjoi ç’i thash dhe ma ktheu:

– Ja pse duhet t’i kushtojmë kujdes çdo detaj të historisë. Kanë kaluar pak vjet nga botimi i numrit të parë të kësaj gazete dhe s’dimë saktësisht….

Kishte shumë të drejtë Prof. Dhimitri.

Dy fjalë për të atin e Dhimitrit, Simon Shuteriqin e mirënjohur

Dhimitër Shuteriqi rridhte nga një familje jo dosido. Ishte filizë e dalë prej një rrënje të ngulur thellë në histori.

I ati i Dhimitrit, Simoni, e kishte të ëmën mbesë të Kostandin Kristoforidhit, autor i të parit fjalor të gjuhës shqipe. Ishte po ky Simon, që së bashku me atdhetarë të tjerë elbasanas shkruanin fragmente lavdie që në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kohë kur afrohej të agonte Dita e madhe e Pavarësisë së Atdheut.

Duke shfletuar historinë, Simon Shuteriqin e gjejmë të ishte një nga delegatët e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, si përfaqësues i Elbasanit. Bëhet fjalë të ishte delegat në një kuvend dijetarësh të shquar, ku përcaktohej alfabeti përfundimtar i gjuhës shqipe.

Në vitin 1909 Simon Shuteriqi qe caktuar sekretar i Kongresit të Elbasanit, në të cilin u mor vendimi më i rëndësishëm në historinë e arsimit kombëtar: hapja e Shkollës Normale, me dimensionet bashkëkohore të didaktikës. Simoni ka qenë një nga mësuesit e parë të kësaj shkolle. Prej kësaj dolën me dhjetëra mësues shumë të përgatitur, që përhapën dije e kulturë në të gjitha trevat shqiptare, brenda e jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Dokumentet e shumta historike dëshmojnë, se Simon Shuteriqi ka qenë, gjithashtu, mbështetës i fuqishëm i Fan Nolit, duke mbetur deri në fund përkrahës i idealeve atdhetare dhe demokratike.

Në vitet e pushtimit të vendit, 1939 – 1944, u bashkua me LANÇ, i bindur në drejtësinë dhe fitoren e kësaj lufte çlirimtare.

Ja, ky ishte Simon Shuteriqi, djali i të cilit, Dhimitri, pas Liceut Francez të Korçës dhe studimeve të larta për Letërsi e Drejtësi në Grenobël e në Lion të Francës, do të bënte vetëm përpara dhe veç përpjetë.

Edhe pse student në Grenobël të Francës, antifashist i vijës së parë

Kujtimet e ish studentit shqiptar Dhimitër Shuteriqi në Grenobël të Francës për pushtimin fashist të Shqipërisë janë të shumta, por po qëndrojmë në disa fragmente të tyre:

… Dhe 7 prilli erdhi, erdhi dita e së Premtes së Zezë, dita e pashmangshme e vajtimit të Krishtit një herë në mot për të 1939 – n herë, dita e pashmangshme e realizimit të agresionit të ri italian mbi Shqipërinë të përgatitur nga Musolini dhe Çiano (Konti Çiano, në kujtimet e tij ka gjëra interesante për atë ditë), por po aq edhe nga Zogu me zogorinë e tij.

Dhe kujtimet vazhdojnë: .. Ne në Grenoble organizuam menjëherë një miting përpara legatës italiane. Na ndihmuan shokët tanë studentë… Në mes të muajit prill organizuam një miting të dytë, kjo – në një sallë të madhe mbledhjesh të bashkisë së qytetit, e cila merrte rreth njëmijë vet e që mori jo më pak se njëmijë e pesëqind… Atë e hapi vet zoti kryetar i bashkisë me një fjalë të shkurtër patetike. Unë mbajta fjalën e rastit dhe salla më duartrokiti shpesh. Suksesi i mitingut ishte shumë i madh.

Mitingje të tilla, si në Grenoble u bënë edhe në Lion, Saint–Étienne,

Firminy dhe në Paris gjatë javës së dytë të atij prilli. Unë fola edhe në Lion e në Saint-Étienne. Kam fotografinë e bërë nga shqiptarët e Saint-Étienne

përpara Shtëpisë së Sindikatave, ku u mbajt mitingu. Aty janë mbi 60 vet. Nga Grenoble jam vetëm unë, ndërsa nga Lioni janë disa, midis të cilëve Qamil Çela, Gogo Nushi, Dhori Samsuri, Dhori Mihali, Halim Budo, Pandi Cici, Sami Baholli etj. Shoh aty dhe Dhori Panon nga Korça, i vetmi student shqiptar që kishte atëherë Saint-Étienn-i, ku ai ndiqte studimet e larta për  inxhinieri minierash.

Nga shqiptarët e Parisit kujtoj Kolë Papariston, që studionte shkencat e natyrës, si dhe Ptoleme Xhuvanin, që studionte për Drejtësi.

Këto ishin pak fragmente kujtimesh të shkruara nga Dhimitër Shuteriqi për veprimtarinë e vet antifashiste dhe për atë të disa prej studentëve shqiptarë në Francë në ato ditë të pas 7 prillit të vitit 1939.

Komisar i Batalionit Partizan të Bërzeshtës së Librazhdit

Me t’u kthyer në atdhe në vitin 1942, djali i Simon Shuteriqit nuk mund të qëndronte i mbyllur në shtëpi. Menjëherë shkoi atje ku kishin pas shkuar shumë nga moshatarët e vet elbasanas.

Fillimisht, në shtator të vitit 1942 emërohet mësues me kontratë në Shkollën Normale. Ndërkohë, lidhet ngushtë dhe vepron aktivisht si një antifashist i kudondodhur. Pikërisht për këtë arsye më 12 maj 1943 zgjidhet sekretar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar për Elbasanin, ndërkohë që kryetar zgjidhej Dr. Xhaferr Kongoli.

I vetëdijshëm për detyrën që e priste, në qershor të vitit 1943 del partizan me armë në dorë. Madje mori pjesë në betejën e Pojskës më 16 korrik të këtij viti, ku është zhvilluar një përpjekje shumë e ashpër me pushtuesit italianë. Në këtë betejë të pabarabartë ranë heroikisht 10 partizanë, me në krye Heroin e Popullit Reshit Çollaku – komandant i Batalionit të Mokrës.

Më 23 korrik të vitit 1943krijohet Batalioni Partizan i Bërzeshtës, ku Dhimitri caktohet komisar i këtij formacioni të lavdishëm.

Kohët vazhdonin dhe Dhimitri caktohet në detyra të reja. Në shtator 1944 e zgjedhin në Kryesinë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Elbasanit. Kontribut shumë të çmuar ai ka dhënë edhe në shtypin antifashist, duke u caktuar drejtues i bazës së shtypit ilegal që vepronte në fshatin e thellë malor, Sterstan, të Shpatit.

Në këtë bazë të shtypit ilegal Dhimitri u njoh me Mynever Ficon nga Gjirokastra, e cila, vite më pas, do të ishte bashkëshortja e tij e denjë. Veterani i paharruar i LANÇ, i ndjeri Guri Lubonja, na ka pas treguar, se Dhimitri ishte një intelektual tepër i ngritur. Traktet, komunikatat dhe materialet e tjera propagandistike që dilnin nga kjo bazë e shtypit ilegal, falë edhe aftësisë organizuese të Dhimitrit, shkonin rregullisht në shumë formacione partizane.

Menjëherë pas çlirimit të qytetit të Elbasanit Dhimitër Shuteriqi u ngarkua me drejtimin e disa sektorëve të Komitetit Ekzekutiv të porsakrijuar.

Edhe Pirro Shuteriqi, vëllai i vetëm i Dhimitrit, i kontribuoi aktivisht çlirimit të atdheut, deri edhe me gjakun e vet.

Një emër i madh në mesin e intelektualëve më të shquar shqiptar

Çlirimi i atdheut e gjeti Dhimitër Shuteriqin një intelektual të mirëshkolluar në Francë dhe të kalitur në farkën e luftës për çlirimin e atdheut. Tashmë këtij do t’i besoheshin detyra të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi në institucione të ndryshme të larta arsimore, kulturore e letrare të vendit. Më 2 mars 1946 do të fillonte punë në Drejtorinë e Shtypit dhe të Propagandës pranë Ministrisë së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore me ministër Sejfulla Malëshovën. Le të theksojmë këtu, se me këtë rast pranë kësaj Ministrie u krijua një komision që ngarkohej për t’u dhënë liri qarkullimi librave të botuara deri në atë kohë në Shqipëri, në të cilin bënte pjesë edhe Dhimitri si themelues dhe punonjës

Në po këtë kohë (tetor 1945) Dhimitri do të ishte një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Që në këtë mbledhje të parë ai do të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Lidhjeje.

Në vitet 1947 – 1950 do të ishte drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik.

Po kështu, në vitet 1950 – 1974 do të ishte deputet i Kuvendit Popullor, si përfaqësues i rrethit të Gramshit në fillim e, më pas, i Elbasanit.

Nga viti 1954 e për 19 vite me radhë drejtoi me shumë autoritet Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, si kryetar i saj.

Si një intelektual me shumë kontribut dhe reputacion në rrethet shkencore, ai do të ishte një nga anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që me themelimin e saj në vitin 1972.

Ndërkohë, që herët do të caktohej edhe Kryetar i Komitetit për Mirëkuptimin dhe Bashkëpunimin Ballkanik të Shqipërisë.

Krijues i talentuar dhe historian i shkëlqyer i letërsisë shqiptare

Krijimtaria e Dhimitër Shuteriqit zë fill që në vitet tridhjetë. Kështu, në vitin 1935 ai ka pas botuar përmbledhjen poetike me titull “Kangët e rinisë së parë”, ndërsa në vitin 1936 ka pas botuar përmbledhjen tjetër poetike të titulluar “Kangë”. Ndërkohë, fillon e vazhdon të jetë edhe një kritikë letrar. Në revistën “Bota e Re” të Korçës në këtë kohë boton artikullin e gjatë “Drejtimet e reja letrare”, ku përkrahen prirjet realiste në krijimtarinë e autorëve të rinj të kohës.
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar fillon e vazhdon me intensitet krijimtaria letrare e Dhimitër Shuteriqit. Në këtë kohë botoi dy vëllimet e para të romanit “Çlirimtarët” (1952 dhe 1955), por vepra mbeti e papërfunduar. Më pas vazhdoi me tregime, ku dëshmoi se në këtë lëmë ishte mjeshtër i vërtetë. Pas librit “Gurnecka” në vitin 1957, botoi “Fyelli i Marsiasit” në vitin1963, “Kënga dhe pushka” në vitin1972, “Maratonomaku ynë” në vitin1977, “60 tregime në një” në vitin 1979 etj. Sakaq, ka botuar edhe vëllime poetike, si vëllimet “Kangë”  në vitin1981, “Kroje kam et”  në vitin 1998 etj.

Dhimitër Shuteriqi njihet si shkrimtar, por po kaq edhe si shkencëtar i mirënjohur në fushën e studimeve letrare. Në një varg veprash ai ka hedhur dritë për fillimet e shkrimit shqip. Ndërkohë, është bashkautor dhe redaktor i veprës përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe”, kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare”, autor i monografisë “Naim Frashëri – jeta dhe vepra”, i traktatit “Metrika shqipe”. Është autor edhe i përmbledhjeve me studime “Nëpër shekujt letrarë”, “Gjurmime letrare”, “Autorë dhe tekste”, “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera”, “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera” etj. etj.

Shkurt, Dhimitër Shuteriqi është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri.

“Mjeshtër i fjalës dhe Diogjen i qytetërimit shqiptar, titan i punës dhe erudit”

Akademiku i shquar shqiptar, i ndjeri Dhimitër Shuteriqi – Profesor, Mësues i Popullit ka lënë mbas një trashëgimi të shkëlqyer, sidomos në fushën e studimeve letrare, historike, albanologjike, folklorike, por dhe publicistike. Historia e letërsisë shqiptare do të ishte e mangët pa mendimin shkencor të këtij studiuesi të madh.

Për kontributin dhe rolin që ka luajtur Dhimitër Shuteriqi si shkrimtar dhe si studiues skrupuloz në fushë të letërsisë janë shprehur mjaft njerëz të shquar të letrave.

Ish kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, është shprehur: “Dhimitër Shuteriqi është një nga personalitetet më të mëdha të kulturës sonë të re. Ai jo vetëm që është një shkrimtar i shquar, veçanërisht një tregimtar nga më të mirët, një romancier, një poet, por është dhe një nga studiuesit e rrallë që kemi ne, një nga studiuesit e parë të letërsisë shqipe”.

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ndër të tjera ka thënë: “Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një “zë të vogël”, pasi ka kontribute dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që i përket dy kohërave!”

Shkrimtari i mirënjohur, Prof. Nasho Jorgaqi ka dhënë këtë vlerësim: “Mjeshtër i fjalës dhe Diogjen i qytetërimit shqiptar; titan i punës dhe erudit. Mësues i Popullit, Profesor dhe Akademik. Ky është portreti intelektual, atdhetar dhe qytetar i Dhimitër Shuteriqit”.

Duke folur për Dhimitër Shuteriqin, ish intelektuali i shquar Moikom Zeqo ka formuluar këtë përcaktim: “Në Grenoblen e Stendalit, studenti Shuteriqi njohu Evropën. Më pas në Shqipëri u mundua me të gjitha forcat, pa kursyer asgjë, me talentin e tij të çmuar, këmbënguljen proverbiale të krijonte një Shqipëri të letrave. Mosha e Shuteriqit më tepër se sa ditë, ka punë”.

*     *     *

Ndërsa dëgjojmë e shikojmë të dekorohen nga Presidenti i Republikës njerëz të shumtë, natyrshëm na del pyetja e ligjshme: Po ish Akademikut të shquar, Dhimitër Shuteriqi, kur do të mund t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”?

Football news:

Timeline of Koeman's torment: terrible results, clashes with Laporta, fan attacks and dismissal. Now Barcelona wants Xavi
Salihamidzic about 0:5 with Borussia: Collective turbidity in Bavaria, which we cannot explain
Barcelona wants to appoint Xavi after Koeman's resignation
💣 ÂБарсеĞона увоĞиĞĞ° Кумана
Barcelona will announce Koeman's resignation in the near future
Barcelona bosses will meet tonight to discuss Koeman's future (Cope)
Inter coach about 2-0 with Empoli: It's a pity Lautaro didn't score, but he saves goals for the next matches