Albania

Dritëro Agolli dhe Shqipëria e sotme

 Shpëtim Çuçka

Ja, e vërteta rri lakuriqe ngaherë,

Ja, dhe gënjeshtra me petka rri veshur!

Më thoni: cila ka turpin dhe cila ka nderë?

Kjo që ju thashë s’ka gjë për të qeshur!

  1. Agolli, “S’ka asgjë për të qeshur”

Kumbon për të panjohur melodia

Dhe vet’ pëlqim’ i tyre më sjell mund,

Nga kënga ime kush u ndje gazplotë,

Edhe në rron, ka humbur nëpër botë.

Gëte, “Fausti”

Kujtimi i një njeriu varet nga vepra e tij. Përkujtimi i njeriut varet nga shoqëria e kohës.

Kjo dije e thjeshtë më është rikthyer në mendje shumë e shumë herë këta tridhjetë vitet e fundit, sa herë që në shoqërinë tonë, veçanërisht në institucionet drejtuese, kanë munguar edhe vëmendja, edhe dëshira për të kujtuar ngjarje e njerëz, që na kanë frymëzuar të duam të mirën e përgjithshme e të ardhmen si vend dhe të mos rrimë e të shohim secili vetëm ngastrën e tij e të mendojmë vetëm për të sotmen.

Më është rikthyer në mendje kjo dije e thjeshtë edhe në rastet, kur përkujtimi i ngjarjeve dhe njerëzve të vyer të historisë sonë – në ata pak përvjetorë, kur kjo gjë ka ndodhur – është kthyer në dëfrim a gjullurdi, gjithsesi në një shfaqje kotësie të shëmtuar e dëshpëruese.

Dhe gjithnjë e më e ngulitur më është bërë bindja se te ne nuk po dinë më si të sillen as në gëzime e as në hidhërime.

*          *          *

Jemi në prag të nëntëdhjetëvjetorit të lindjes së Dritëro Agollit.

Dhe për një çast përfytyrova sikur një gazetë a një kanal televiziv organizonte një pyetësor me qytetarët, nëse e njihnin Dritëronë dhe ç’mendonin për të. Vallë sa nga banorët e sotshëm të vendit e njohin të paktën si emër, për të mos pyetur se sa janë ata që e kanë lexuar, pale më ata që e pëlqejnë dhe e vlerësojnë Dritëro Agollin?

Në shoqërinë tonë, pikërisht në rrethanat e një anarkie, të cilën u mësuam të na e paraqesin për liri e demokraci (ndërsa në të vërtetë ajo të sjell ndër mend një mot me mjegull, që sipas urtësisë së vjetër popullore mbetet aq i pëlqyer për ujqit, domethënë për të gjithë sojin e grabitqarëve), ka tridhjetë vjet që po ndodh një proces – i qëllimshëm, i pandalshëm dhe i pafalshëm –– i fshirjes së plotë të ndërgjegjes historike e qytetare, pra i shkallmimit të atij themeli, që e bën një shoqëri të ecë me kujdes përpara dhe të mos bjerë pre e mashtrimeve dhe e iluzioneve për pasurim të shpejtë, pa punë, pa moral.

Ky proces i fshirjes së plotë të ndërgjegjes historike e qytetare, pra, të arsyes e të vetëdijes sonë historiko-shoqërore, ka bërë të mundur që pikërisht gjatë këtyre tridhjetë viteve shoqëria jonë të bjerë pre e mashtrimeve në masë, mashtrime banale por edhe fatale, duke nisur nga ato me petk monetar e duke arritur deri tek ato me petk mjekësor, për të mos përmendur petkat gjoja politiko-strategjike.

Në shoqërinë tonë ka tridhjetë vjet që jo vetëm po lihet të shuhet, por edhe po vriten në mënyrën më të pabesë, më cinike e më të poshtër, e mira, ndershmëria, ndjenja e drejtësisë dhe e dinjitetit vetjak e kombëtar; po lihet të shuhet e njëkohësisht po vritet ndjenja e nderimit të thellë për kontributin e heshtur, por të pazëvendësueshëm, të brezave të gjyshërve dhe prindërve tanë në ngritjen në këmbë të shtetit pas shpartallimit dhe diskreditimit që ai pësoi në vitet e pushtimit italian e gjerman 1939-1944; po lihet të shuhet e po vritet ndjenja e nderimit të thellë për kontributin e paçmueshëm e të jashtëzakonshëm të atyre brezave në mëkëmbjen dhe forcimin e vendit pas një prapambetjeje të gjithanshme shekullore; po lihet të shuhet e po vritet ndjenja e nderimit të thellë për meritën e pashoqe të atyre brezave, të cilët, pavarësisht kufizimeve dhe mangësive të tyre të pashmangshme të trashëguara nga e kaluara e gjatë historike, arritën me mendjen e me duart e tyre të ngrinin një shoqëri krejt të re, një shoqëri që për herë të parë u vu të ecte në rrugën e drejtë, domethënë në rrugën e drejtësisë shoqërore dhe të pikësynimeve të përbashkëta të lirisë, sigurisë dhe mirëjetesës për të gjithë e jo për një pakicë të vockël të zvetënuarish deri në krim.

*          *          *

E tillë është – pa maska e pa zbukurime – e sotmja jonë e hidhur dhe tronditëse. Pikërisht në këtë gjendje qëllon të vijë edhe i shënuari përvjetor i nëntëdhjetë i lindjes së Dritëro Agollit. Shoqëria jonë, e goditur dhe e dërrmuar – në trup e në tru – nga tërmeti, nga “mynxyra e pandemisë” e  nga zjarret-zjarrvënie, me banorët, kryesisht të rinjtë, që kanë vetëm një synim – sigurimin e jetesës – dhe që shohin vetëm një shteg “shpëtimi” – largimin nga vendi –, nuk e ka e nuk ka si ta ketë mendjen te Dritëroi. Nuk e ka mendjen te shfaqjet teatrore, aq më pak te ndërtesa e teatrit. Se ja: ndërtesë dinjitoze ka teatri i Shkodrës. Por a dëgjohet të flitet për varg shfaqjesh cilësore, mbresë- e mësimdhënëse, të trupës së këtij teatri, pa le të jepen ato nëpër ekrane televizorësh, me qëllim që të ndiqen nga një numër sa më i madh qytetarësh?

Ndërtesa e një teatri, sado cilësore ajo qoftë, nuk e zgjidh dot problemin thelbësor: cilësinë e veprave që shfaqen në atë ndërtesë, mesazhet e këtyre veprave, estetikën e lartë dhe jo përçudnimin e paraqitur si risi e modernizëm (“e po kështu bëjnë të gjithë”, ky është argumenti që jepet në më të shumtën e rasteve, kur ngrihet kjo çështje). Pastaj: a nuk prishen vazhdimisht banesa shqiptarësh? Si mund të ngjallësh interesimin dhe keqardhjen e banorëve te prishja e një teatri, kur vetë ata lihen pa çati mbi krye e pa mjete jetese?

Dhe më tej, për ta mbyllur shkurt këtë temë të kulturës, në rastin konkret të teatrit: ku ishin njerëzit e artit e të kulturës, kur u braktisën, u lanë në rrënim ose u shkatërruan veprat e rëndësishme industriale të Shqipërisë (kombinate, fabrika, uzina), ose pasuri të mëdha bujqësore (një fond i tërë i tokës bujqësore i përmirësuar, i mirëmbajtur e i kultivuar, sisteme të tërë kullimi, ujitjeje e ujëmbledhësish, blloqe të panumërta frutore)? Pse nuk dolën njerëzit e artit e të kulturës t’i drejtonin thirrje popullit që të mos ndërmerrte marrëzinë e shkatërrimit të pasurisë së përbashkët? Përkundrazi e për fat shumë të keq, një pjesë e madhe e tyre u vunë në ballë të asaj marrëzie shkatërrimsjellëse.

Pikërisht në këtë gjendje të vendit e të shoqërisë sonë vjen përvjetori i nëntëdhjetë i lindjes së Dritëro Agollit. Ç’qëndrim mund të pritet në këto kushte nga banorët e handakosur të vendit? Nuk po ndalem fare tek udhëheqësia. Ajo e ka treguar me vepra se mendon vetëm për veten. Kurrsesi për popullin. Se që të mendojë për arsimin, kulturën, shkencën e artin, as që bëhet fjalë.

E megjithatë e pavarësisht të gjitha rrethanave jonjerëzore, që u përmendën më sipër dhe pesha e të cilave në një masë a tjetër ka nisur të ndihet e rëndë mbi shpinat e në shpirtrat e njerëzve, këta kanë nevojë për dritën e së mirës konkrete, dritën e të mirave që kanë kryer për shqiptarët – e jo për të huajt! – bijtë më të mirë të vendit tonë. Një nga këta bij është pikërisht Dritëro Agolli.

*          *          *

Kur flasim për Dritëro Agollin, nuk kemi parasysh një njeri të jashtëzakonshëm e të mbizakonshëm. Përkundrazi, Dritëroi ishte njeri i zakonshëm, njeri fare i thjeshtë (të mos ngatërrojmë thjeshtësinë me rëndomtësinë), si një pjesë e madhe e shqiptarëve. Këtë e dinë dhe e kanë fare të qartë të gjithë ata njerëz të thjeshtë, që kanë patur rastin – më saktë, fatin – ta takojnë e të njihen me të.

Thjeshtësia ishte, sipas meje, tipari kryesor i karakterit të tij. Ata që nuk e kanë ndeshur këtë tipar të Dritëroit kur u ka rastisur të takohen me të, që nuk e kanë vënë re një tipar të tillë tek ai, duhet ta kërkojnë arsyen e kësaj mangësie vetëm te vetja: jeta e kishte sprovuar dhe mësuar Dritëroin aq, sa të mos ishte i thjeshtë me këdo. Për shembull, ai nuk ishte e nuk mund të ishte i thjeshtë me fodullët. As me puthadorët. Dhe jo rrallë u prish, madje hapur, me njerëz të këtij takëmi.

A mund të merret me mend arsyeja se përse e si në karakterin e Dritëro Agollit u shfaq e u kalit ky tipar i thjeshtësisë? Mendoj se kjo është e mundur. Një tipar i tillë nis të zhvillohet zakonisht në periudhën e parë të jetës së njeriut, në atë periudhë që quhet fëmijëri.

Fshati shqiptar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, pavarësisht se si dhe sa e mbajnë mend atë periudhë njerëzit që e kanë jetuar (nuk po ndalemi këtu te masa e njerëzve që ka lindur më pas dhe as te aftësitë arsyetuese të njerëzve qoftë të brezit të parë, qoftë të brezit të mëvonshëm) ka qenë i prapambetur e i pazhvilluar si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga mënyra e jetesës në tërësi e nga niveli kulturor në veçanti. Në kushte të tilla thjeshtësia e karakterit kishte lidhje me varfërinë e jetesës dhe varej, kushtëzohej e ushqehej prej saj. Por ajo nuk ishte cilësi negative. Përkundrazi. Dritëro Agolli nga jeta e vështirë ekonomike e familjes së tij, e bashkëfshatarëve dhe e banorëve të luginës së Devollit, u mësua ta përjetonte me dhembje gjendjen e kësaj pjese të madhe, shumë të madhe, të popullsisë së vendit, dhe të mos e përbuzte atë, por ta ndiente veten pjesë të saj, sikurse dhe ishte në të vërtetë, dhe të ishte gjithnjë në anën e kësaj mase dërrmuese njerëzish. Thjeshtësia u bë themeli i mënyrës se si Dritëro Agolli e shikoi kurdoherë jetën dhe botën përreth. Dhe pikërisht thjeshtësia përcaktoi tek ai prirjen drejt idesë së barazisë dhe drejtësisë shoqërore.

*          *          *

Periudha e fëmijërisë për Dritëro Agollin mori fund me pushtimin e vendit, sidomos me nisjen dhe zhvillimin e Luftës Nacionalçlirimtare. Jeta e thjeshtë (në të vërtetë e varfër), që ai bënte, dhe thjeshtësia e karakterit të tij u mbresuan në mënyrë të pashlyeshme dhe fituan një dritë krejt të re nga këto ngjarje të rënda për vendin, nga këto sprova të mëdha, historike.

Lufta Nacionalçlirimtare shënoi një kthesë të jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë ajo u bë një përvojë e jashtëzakonshme, e rrallë, në jetën e çdo shqiptari, pra, edhe në jetën e Dritëro Agollit. Përpara të gjithëve, sido që të ishin ata, me pozitë e me pasuri apo pa pozitë e në mjerim, u shtrua çështja nëse do ta pranonin pushtimin e vendit apo jo. Për masën e njerëzve, që do të mbanin qëndrimin e dytë, kundër pushtimit, shtrohej edhe një çështje tjetër: çfarë do të bënin ata të shtyrë nga kjo ndjenjë kundërshtimi.

Dritëro Agolli u ndodh jo rastësisht në anën e shumicës së popullit: kundër pushtimit, për Luftën Nacionalçlirimtare. Dhe në mbarim të luftës ai tanimë ishte rritur e pjekur përmbi moshën, kishte fituar një ndërgjegje shoqërore të qartë: e vjetra – një e vjetër shumëshekullore – duhej shembur dhe mbi gërmadhat e saj duhej ngritur një shoqëri e re, e panjohur më parë.

Se si konkretisht duhej të ishte kjo shoqëri, Dritëroi në festën e çlirimit nuk kish si ta dinte e as ta përfytyronte. Por çdo ditë e re i tregonte se kjo shoqëri nuk mund të mos krijohej, pasi atë e kërkonin masat e gjera e të shumëvuajtura të popullit, çdo ditë e re ishte një provë se ajo do të ishte patjetër një shoqëri krejt ndryshe nga shoqëria e mëparshme, do të ishte një shoqëri e punës së çliruar, domethënë ku punëtorët dhe fshatarët të ishin të lirë e jo më mëditës e bujkrobër, sikurse kishin qenë praktikisht deri atëherë. Dhe si çdo shqiptar i rritur me ndjenjën e punës së ndershme Dritëroi e priste ardhjen, krijimin, e kësaj shoqërie me shpresë, dëshirë dhe entuziazëm.

Këtë të vërtetë nuk kemi pse ta kërkojmë të dokumentuar nëpër ditare a vargje të asaj kohe, të cilat Dritëroi nuk kishte si t’i mbante e si t’i shkruante. Por ajo dokumentohet në të gjithë veprën e tij artistike, në radhë të parë në poezinë e tij. Lufta Nacionalçlirimtare me idealet e saj është vula e pashlyer e gjithë veprimtarisë shoqërore dhe krijimtarisë së Dritëro Agollit.

Ndërgjegjja shoqërore nuk është diçka që bie nga qielli. Ndërgjegjja shoqërore, e cila te Dritëro Agolli nisi të formohej në epokën e kthesës historike që filloi me Luftën Nacionalçlirimtare, ishte meritë e partisë politike shqiptare të krijuar më 8 nëntor 1941. Pikërisht ky formacion politik u bë bërthama frymëzuese, organizuese dhe udhëheqëse e luftës më me horizont e më me dritë, që populli shqiptar ka zhvilluar në gjithë historinë e tij. Pa këtë formacion politik, pa ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në mbarë jetën e vendit, pra, edhe në jetën e shqiptarit të thjeshtë Dritëro, Shqipëria nuk do të kishte qenë as në hartë e as në realitet ajo që doli nga lufta e që u bë më pas, rrjedhimisht nuk do të ishte shfaqur as dukuria e madhe e kulturës dhe e letërsisë sonë që njihet me emrin Dritëro Agolli. Dhe për një gjë të tillë dëshmojnë jo vetëm krijimtaria e tij në vitet e socializmit, por edhe krijimet pas vitit 1991 (për shembull, poezia “Gjyshi për mbesën” në vëllimin poetik “Fletorka e mesnatës”, 1998).

(Vijon)

Football news:

Ajax fans set off fireworks at the stadium at the match with Borussia
Guardiola on coronavirus: I am vaccinated, I trust doctors and scientists. We see how many deaths there are in England
Griezmann caught up with Giroud in goals in the Champions League (35) and shares 5th place with him among the French
In Amsterdam, fireworks are not only on the field, but also in the stands. The public relations of Ajax and Borussia fans
Mbappe has 46 (28+18) points on the goal+pass system in 48 games in the Champions League
Atletico conceded twice before the 15th minute for the first time under Simeon
Guardiola pro 5-1 with Brugge: One of Man City's best games in European competitions