Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Familjet që zgjodhën të qëndrojnë në çadra marrin bonus qiraje

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, 400 familjet që janë në çadra si pasojë e tërmetit, marrin edhe sot bonusin e qirasë.

Duke replikuar me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë seancës plenare, Rama u shpreh se, “ato familje qëndrojnë në çadra sepse e kanë larg tokën, e kanë larg fermën, e kanë larg gjënë e gjallë nga zonat ku mund të marrin apartamente”.

“Kanti thotë, kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë në vendin tënd. Dhe kur vihesh përballë akuzash të tilla, është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, nuk është barra e të akuzuarit të provojë që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet”.

“Por zotëria më dha një mundësi, për shkak të paaftësisë së tij proverbiale në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjesht. Po sikur fondet e vëna në dispozicion për rindërtimin e shkollave nga Bashkimi Evropiani, në raport me fondet e vënë në dispozicion nga qeveria për rindërtimin e shkollave të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim, sesa fondet e qeverisë çfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf që sapo u var këtu në foltoren e Kuvendit”, tha Rama.

“Po sikur të gjitha investimet e bëra nga qeveria shqiptare për shkollat një për një në aspektin e kostos të jenë më të ulëta sesa investimet e bëra nga programi i BE po në aspektin e kostos për të njëjtat standarde dhe kritere çfarë i mbetet parafolësit. Parafolësit i mbetet ajo që i ka mbetur gjithmonë në fakt, humbja. Humbja që e ka në konstitucionin e vetë mënyrës së të qëndruarit në skenën politike qysh në ditën e parë. Humbja që e përgatit me duart, me gjuhën dhe me qëndrimet e veta çdo ditë”, u shpreh Rama.

E pra, theksoi Rama, “mua fondet e BE-së, Lulzim më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë. Jam shumë mirënjohës jo vetëm BE-së, por të gjithë partnerëve tanë që na ndihmuan dhe na ndihmojnë në këtë proces. Që nga Brukseli deri në Abu Dhabi. Që nga shumë kryeqytete të Evropës, ku vende të caktuara kanë marrë përsipër të kontribuojnë për shkollat drejtpërdrejt deri në Ankara. Por, po të them që në aspektin e nikoqirllëkut, në shpenzimin e fondeve, u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar për këtë projekt, sepse kanë garantuar që ne të bëjmë më shumë, me më pak. Po kështu edhe me koston e apartamenteve për të njëjtat standarde”.

“Kështu që atë fjalën hajdut që të ka mbirë në majë të gjuhës gëlltite brenda, bëji gjuhës një kthesë në drejtim të ezofagut. Dhe herë tjetër, kur nxjerr gjuhën këtu mate mirë kur flet për hajdutëri dhe për hajdut. Dhe mate mirë kur tregon sesi shpërndahen paratë e lejeve të ndërtimit në zyrën e kryetarit të bashkisë. Mate mirë kur flet për rrathë të afërmish që merren me ndarjen e indulgjencave duke shfrytëzuar zyrën e kryetarit të bashkisë”, tha Rama.

“Mati mirë këto dhe bëhu burrë një herë të paktën. Të ka ardhur prapë rasti të bëhesh burrë, por nuk po e shfrytëzon. Dhe sa për pranë njerëzve, nuk ma tregon dot mua ti. Se e kam thënë më përpara dhe e them përsëri. Dhe e them me krenari, kjo nuk është zotësi në raport me të tjerët. Por sa kilometra dhe sa njerëz kam takuar unë për shkak të detyrës, nuk i kanë takuar bashkë të tërë kryeministrat, që nga formimi i shtetit shqiptar. Kurse zotrote nuk takon dot as partinë tënde sot. Nuk del dot nga zyra të shkosh të takosh njerëzit e tu, të partisë tënde. Dhe më tregon ti mua se ç’është të jesh pranë njerëzve. Pranë njerëzve është ajo që ti nuk e mëson dot, se je vonë për ta mësuar. Por të paktën dilu zot atyre njerëzve të tu se i ke dhe 95% dhe mos i lër rrugëve. Dhe mos hajde këtu të bësh leksione morali. E mos hajde këtu të ndysh shtëpitë e shqiptarëve çdo ditë sa herë del, ul e ngri hajdutë e kriminelë, e bosa e stërbosa. Se nuk ta ka borxh njeri Lulzim”, tha Rama.

“Edhe arsyeja pse ti nuk fiton nuk janë as kriminelët, as bosat, as gjithë ato që ti rendit. Arsyeja pse ti nuk fiton, je ti. Sepse me këtë mënyrë të foluri nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe mund të gënjesh dhe të tjerët për një farë kohe. Po ndrysho sa s’është vonë. Dhe ta kam thënë dhe herë tjetër, unë jam këtu për të respektuar këtë institucion, për të respektuar këtë përgjegjësi që kemi marrë bashkërisht. Për të respektuar edhe ty bashkë me partinë tënde, po që kjo parti është partia më e bukur e lindjes, give me a break, give me a break. Partia më e bukur e lindje. Miss Lindja. Give me a break. Ti mund të jesh po, mister lindja sot. Po lind më në fund. Lind. Lind edhe mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelenat e mjekut. Bëhu burrë edhe mos hajde këtu me dëngla, me akuza, me shpifje, me baltë, me llum. Po hajde me argumente”, u shpreh Rama.

“Tani sa për ata që gdhihen në çadra, unë nuk e di se ku i sheh ti ata që gdhihen në çadra se ti zgjohesh shumë vonë. E kur ti zgjohesh ata që janë në çadra janë në punë. Po të them përsëri. Ti e di. Po po e them për ata që akoma të dëgjojnë. Për atë 95% që mezi po pret. Që në çadra, qysh nga dita e parë dhe sot që flasim janë  rreth 400 familje. Janë dhe sot. Por siç ke kërkuar dhe ke gërmuar më përpara dhe faktikisht nuk gjete gjë, mund të shkosh prapë të kërkosh dhe të gërmosh, nëse tek ata që janë në çadra ka ndonjë familje që sot që flasim nuk vazhdon të marrë bonusin e qirasë. Pse rrinë në çadra ata? Ata rrinë në çadra jo se i kemi lënë ne në çadra, por ata rrinë në çadra se ndryshe nga ty punojnë. Ata rrinë në çadra se ndryshe nga ty e nxjerrin bukën me punën e tyre, jo me punën e të tjerëve. Ata rrinë në çadra se ndryshe nga ty, nuk i ka mbajtur njeri në krahë me vite të tëra, duke i prezantuar sikur po bëjnë atë që ti në fakt ke bërë sikur e ke bërë. Ata rrinë në çadra sepse e kanë larg tokën, e kanë larg fermën, e kanë larg gjënë e gjallë nga zonat ku mund të marrin apartamente”, tha Rama.

“Kështu që ti kur i qan hallin të tjerëve dhe sidomos kur i qan hallin popullit, mban një erë hipokrizie or ti Lulzim që edhe këta që janë këtu, që janë me ty, aq shumë të vështirë e kanë ta përballojnë, se dhe këta, aq shumë e kanë gënjyer veten që ti je lideri i tyre, sa që edhe tani, çdo ditë gdhihen e ngrysen me idenë, ore je ti apo s’je ti. Ore mund të jesh ti vërtetë ai që këta i kanë thënë vetes se je apo mund të mos jesh. Po kjo s’është puna ime”, tha Rama.

“Puna ime është kjo. Të të kujtoj edhe një herë tjetër. Kur vjen këtu edhe bën të fortin e para kujtohu njëherë çfarë ke bërë. Kujtohu mirë. E dyta, kur thua këtu e di gjithë Tirana, e di gjithë Shqipëria, këtë apo atë, mendoje sesa shumë gjëra di Tirana, sa shumë gjëra di Shqipëria për ty Lulzim dhe sa shumë gjëra dinë këta që janë rreth e rrotull teje, mendoje dhe këtë. E ke një mundësi që ti shmangësh këto budallallëqe dhe të fokusohesh tek çështjet, tek faktet, tek argumentet. Nëse ke fakte hajde  t’i ballafaqojmë, patjetër. Ka shumë fakte të cilat flasin pse qeveria nuk është në lartësinë e duhur në një fushë, në një fushë tjetër, në një hap, në një hap tjetër. Ka shumë argumente që mund të trajtohen në një mënyrë civile dhe që mund të jenë vlerë e shtuar. Por këto me të fortin këtu që del ti. Aman mos, na e kurse këtë. Na e kurse këtë, kurseja shqiptarëve këtë. Të lutem”, theksoi Rama.

“Dhe pranë njerëzve të lutem, mos e përsërit më. Mos e përsërit më derisa të provosh se je në gjendje të rrish pranë 50 demokratëve në të njëjtën kohë. Jo më shumë se 50. Kur t’i mbledhësh 50 bashkë, jashtë mureve të SHQUP-it hajde pastaj flasim si rrihet pranë njerëzve. Hë të keqen vëllai, se të kam xhan”, përfundoi kryeministri Rama replikën me kreun e PD, Basha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.