Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Fitorja me Armeninë, Grima dhe Doçi: Mund të shkojmë larg

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave arriti një sukses fantastik të enjten, pasi fitoi me rezultatin 5-0 ndaj Armenisë në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Vajzat kuqezi bënë një paraqitje fantastike në fushë duke dhuruar emocione të mëdha dhe regjistruan fitoren më të thellë të Shqipërisë në një ndeshje zyrtare.

Një sukses që ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët teksa protagonistët e përfaqësueses kuqezi shprehen shumë të kënaqur për suksesin, por edhe për lojën e zhvilluar nga Shqipëria në këtë ndeshje të rëndësishme.

Trajneri Armir Grima tha për Fshf.org se është shumë i lumtur për goleadën, por më shumë për provën e dhuruar nga skuadra e tij. Ndonëse në grup kanë përballë rivalë shumë të fortë, tekniku kuqezi beson se Shqipëria duhet të pretendojë për të marrë maksimumin në këto eliminatore dhe për të shkuar përtej objektivave.

“Realisht kishim nevojë për këtë ndeshje, për këtë fitore e për këtë lojë. Fillimi ndoshta ishte pak i vështirë, derisa vajzat hynë në lojën që ne kishim përgatitur. Ajo që na kënaqi normalisht ishte loja që bëmë ndaj Armenisë, përpos golave për faktin se ne nuk jemi një ekip që shënojmë shumë gola. Sigurisht, ishte diçka tejet pozitive shënimi i shumë golave në këtë sfidë, pavarësisht se duhet thënë që humbëm edhe shumë raste për shënim, diçka që duhet ta korrigjojmë për ndeshjet e tjera”, – u shpreh Grima.

“Realisht objektivi ynë është që të lëmë dy skuadra pas në renditjen e grupit, do të luftojmë deri në fund, por ne po pretendojmë të bëjmë diçka më shumë e të vazhdojmë atë rritje që kemi pasur, të mundohemi të bëjmë diçka të bukur në këtë grup eliminator, ndonëse kemi përballë skuadra shumë të forta që janë elita e futbollit të femrave në Evropë. Por do të mundohemi që të lëmë shenjën tonë në këtë grup, jo vetëm të përpiqemi të lëmë pas dy skuadra por të mundohemi të bëjmë diçka më shumë, sepse i kemi mundësitë”,  theksoi tekniku shkodran.

Ndërsa, kapitenia Megi Doçi vlerësoi suksesin si të merituar, teksa shprehu besimin se ky grup është i konsoliduar dhe se është në gjendje të bëjë surpriza në të ardhmen. Gjithashtu, sulmuesja u shpreh e kënaqur edhe për golat e shënuar, por më shumë për dy asistent e dhëna gjatë fitores.

“Sigurisht që jemi shumë të kënaqur, bëmë një lojë mjaft të mirë dhe e dominuam ndeshjen si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Krijuam raste, ditëm t’i shfrytëzonim dhe arritëm ta fitojmë me meritë këtë ndeshje. Jam shumë e kënaqur për golat që shënova, por më e kënaqur jam për dy asistet që dhashë dhe për fitoren e Kombëtares. Mendoj që kjo ishte një fitore morali për ne dhe besoj se të gjitha vajzat ndihen mirë, atmosfera është pozitive dhe jemi gati të japim maksimumin në Poloni për të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Kemi treguar nga viti në vit që jemi rritur dhe kemi treguar që dimë të luajmë futboll. Duhet të dimë që edhe grupi është i konsoliduar, jemi gati 8 vajza që luajmë prej kohësh bashkë si edhe vajzat e tjerë që vijnë nga jashtë. Mendoj se ky grup mund të bëjë paraqitje të mira dhe sigurisht me dëshirën për të bërë surprizën në këtë grup kualifikues sepse pritet shumë nga ne”, deklaroi Doçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.