Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

FOKUS – Mattarella: BE do të jetë e kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor

ROMË, 22 tetor /ATSH/ – Mungojnë ende pesë vende në Bashkimin Evropian, i cili nuk mund të konsiderohet i plotë për shkak të historisë, kulturës dhe vlerës që ato përfaqësojnë dhe këto janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, i ashtuquajturi Ballkani Perëndimor, deklaroi presidenti italian, Sergio Mattarella, sipas gazetës italiane ”La Stampa”.

”Italia ka një vëmendje të veçantë ndaj tyre sepse stabiliteti i asaj zone na intereson  shumë. Ne kemi një interes thelbësor në zhvillimin e marrëdhënieve përtej Adriatikut. Duhet të luftojmë për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore, për të kapërcyer keqkuptimet historike dhe për të hedhur themelet për një bashkim më të gjerë”, shtoi ai.

Kulmi i kësaj strategjie u arrit një vit më parë, kur presidenti italian dhe homologu i tij slloven Borut Pahor bashkuan duart përpara Foiba di Basovizza.

Frytet politike të atij gjesti vëllazëror, i cili donte të ndërtonte një kujtesë të përbashkët historike mbi rrënojat e së kaluarës, u mblodhën dje në Nova Gorica, ku të dy krerët e shteteve kremtuan shpalljen e qytetit slloven si Kryeqytetit Evropian të Kulturës për vitin 2025.

”Procesi i integrimit të kontinentit nuk do të jetë i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në gjendje të ndajnë të gjitha perspektivat tona”, shtoi presidenti.

”Italia dhe Sllovenia kanë një përgjegjësi të veçantë. Të mbështesim së bashku aspiratat e fqinjëve tanë dhe të shoqërojmë proceset reformuese që ata po ndjekin”, theksoi ai.

”Nuk ka asnjë justifikim për hezitim nga ana e 27-ve, por as edhe ndërrim kursi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të kthehemi kurrë pas”, theksoi presidenti  italian, Sergio Mattarella./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.