TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, priti në një takim zyrtar, Christophe Bergeon, atashe doganor për Evropën Lindore dhe Ballkanin, me seli pranë ambasadës franceze në Beograd, ku diskutuan mbi tema të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, të tilla si shkëmbimi i informacionit doganor, roli i doganave në mbrojtjen e mjedisit, krijimi i “Dritares së Vetme”, etj, të cilat janë prioritete në rrugën e integrimit për në BE.

Gjatë këtij takimi, Gazheli vlerësoi, se bashkëpunimi me partnerët është shumë i rëndësishëm, sidomos kur bëhet fjalë për rritjen e kapaciteteve apo shkëmbimin e eksperiencave të ndryshme në fushën doganore.

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta mbi rritjen e shkëmbimit të informacionit mes strukturave respektive, si dhe implementimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen kryesisht në fushën e kontrollit dhe luftës kundër pastrimit të parave. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.