Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Gazheli: Thjeshtimi i procedurave doganore mundëson lehtësimin e tregtisë

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ IFC, pjesë e Bankës Botërore, do të kryejë një studim për matjen e kohës për kryerjen e procedurave doganore, pjesë e të cilit do të jetë edhe Shqipëria.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli mori pjesë në takimin virtual të organizuar nga IFC, në kuadër të këtij studimi.

Studimi kryhet në zbatim të marrëveshjes së OBT-së për lehtësimin e tregtisë. Përmes tij, administratat doganore do të mund të kenë një situatë të qartë të performancës aktuale në lidhje me procedurat kufitare duke identifikuar pengesat dhe duke bërë të mundur që më pas të gjenden zgjidhjet e duhura për adresimin e tyre.

Në fjalën e tij, Gazheli theksoi se studime të tilla i mundësojnë Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë një monitorim dhe vlerësim të qëndrueshëm të zbatimit të masave për lehtësimin e tregtisë me efektivitet dhe në harmoni me strategjinë përkatëse.

“Për ne si Administratë Doganore është shumë e rëndësishme që reformat e ndërmarra, veçanërisht në automatizimin e procedurave doganore, deklarimeve pa letër dhe aplikimeve online, të reflektohen pozitivisht në gjetjet e këtij studimi”, u shpreh Gazheli, duke kërkuar angazhim maksimal nga gjithë strukturat doganore.

Studimi ka një qasje gjithëpërfshirëse ndaj gjetjet e tij nuk i shërbejnë vetëm autoriteteve doganore, por të gjithë agjencive ligjzbatuese për marrjen e masave të nevojshme për të përmirësuar efektshmërinë dhe efikasitetin e procedurave kufitare.

“Matja e kohës” do të bëhet sipas një metodologjie të mirëpërcaktuar nga Organizata Botërore e Doganave, sipas së cilës administrata doganore luan rolin kryesor koordinues, ndërkohë që suksesi i studimit mund të arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi dhe ndërveprimi të ngushtë me agjencitë e tjera përkatëse qeveritare dhe aktorët e sektorit privat.

Përfaqësuesit e IFC paraqitën metodologjinë dhe gjithë hapat që duhen ndjekur për zbatimin e këtij studimi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.