TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Punët konkrete të kryera në Gjirokastër, destinacion i preferuar turistik në vend, ishin në fokus të vizitës në këtë qytet të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë Matteo Bugamelli si dhe përfaqësuesit në Shqipëri Emanuel Salinas.

“Duke ecur në çdo rrugë e duke parë nga afër gjithë punët konkrete që qeveria shqiptare ka realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe AADF në Gjirokastër. Ato i kanë dhënë sot jetë qytetit e krejt qarkut, që është kthyer në destinacionin e preferuar për turistët”, u shpreh Kumbaro për këtë vizitë.

Sipas saj, tani ambicia është ekonomia blu.

“Po shohim çdo mundësi për ta realizuar këtë në të ardhmen e afërt. Vija e gjatë bregdetare dhe rrjeti i dendur lumor në territor na e bën të detyrueshme qasjen ndaj ekonomisë blu, e cila na mundëson të ruajmë mjedisin dhe të shmangim dëmet ekologjike”, u shpreh ministrja Kumbaro.

“Me ekipin e Bankës Botërore angazhohemi të çojmë përpara projekte me ndikim real në ekonominë e zonave dhe të banorëve ku do të zhvillohen”, theksoi Kumbaro. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.