TIRANË, 12 tetor/ATSH/- Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur të plotë vendimin për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me çështjen e “Gërdecit”.

Siç raportojnë mediet, në vendimin e arsyetuar thuhet se ish-ministri nuk është gjykuar më parë për çështjen Gërdeci. Gjithashtu gjykata thekson se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Po sipas raportimeve, gjykata thekson se edhe rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që i hap rrugën gjykimit. “Pengesa e imunitetit në atë kohë ishte e përkohshme dhe rënia e këtij kushti i hap rrugën gjykimit”, thuhet në argumentimin e Apelit te GJKKO-së.

Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) riktheu në shtator për hetim në SPAK çështjen “Gërdeci” duke pranuar kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda për rihapjen e hetimeve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.