Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

GREQI – Vdes liderja e KINAL-it, Fofi Gennimata

ATHINË, 25 tetor /ATSH-ANA/ – Udhëheqësja e Lëvizjes për Ndryshim (KINAL) Fofi Gennimata vdiq sot në spitalin ”Evangelismos” në Athinë në moshën 57-vjeçare.

Gennimata, vajza e politikanit grek dhe ministrit në qeverinë e PASOK, Giorgos Gennimatas, ishte nënë e tre fëmijëve.

Më 11 tetor ajo u shtrua në spitalin ”Evangelismos” të Athinës dhe njoftoi se do të tërhiqej nga gara elektorale e dhjetorit për udhëheqjen e partisë pas përkeqësimit të shëndetit të saj.

“Përkeqësimi i shëndetit tim që kërkon shtrimin në spital më detyron t’i jap fund garës sime elektorale si kandidate për kryesinë e Lëvizjes Ndryshim”, tha ajo në një deklaratë.

Gennimata u zgjodh deputet për herë të parë me votën e PASOK-ut në prill të vitit 2000.

Në 2002 dhe 2006 u zgjodh guvernatore rajonale e Athinës dhe Pireut.

Gennimata u emërua zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies në kabinetin e George Papandreou në tetor 2009.

Në vitin 2012, Gennimata u emërua zëdhënëse e PASOK-ut pas një vendimi të liderit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos.

Në vitin 2013 ajo shërbeu si ministre Alternative e Mbrojtjes Kombëtare.

Ajo ka qenë kryetare e Lëvizjes Panhelenike Socialiste (PASOK) që nga viti 2015.

Në vitin 2017, ajo u bë udhëheqëse e Lëvizjes për Ndryshim (KINAL), një koalicion i partive të qendrës së majtë të formuar përreth PASOK-ut./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.