Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Hapet një tjetër segment i Unazës së Madhe të Tiranës

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Hapet për qarkullimin e automjeteve një tjetër segment i Unazës së Madhe të Tiranës.

Duke nisur nga mesnata e sotme, segmenti që nis nga Mbikalimi i Farkës deri tek Materniteti i Ri do të jetë i aksesueshëm për të gjitha drejtuesit e automjeteve duke lehtësuar në këtë mënyrë lëvizjen në këtë zonë të kryeqytetit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku e shoqëruar edhe nga drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho inspektoi punimet në pjesën lindore të Unazës së Madhe, aty ku punimet kanë pasur fluksin më të madhe të punës për shkak të gjeologjisë së terrenit apo edhe kapacitetit të madh të shtëpive për t’u shpronësuar.

“Askush nuk e besonte që këtu në këtë zonë fushore, do të ndërtohej një segment rrugor 240 metra i gjatë, ndërkohë që jemi gati për të lidhur lotin e dytë dhe të tretë pjesë të Unazës së Madhe”, tha Balluku, teksa vuri në dukje, se ky segment rrugor ndonëse i hapur për qarkullimin e mjeteve do të jetë i vijëzuar me ngjyrë të verdhë, pasi ka ende punime që duhen bërë. Por ngaqë pjesa kryesore ka mbaruar, ne mendojmë ta hapim për qarkullim e automjeteve nën vëmendjen e Policisë Rrugore, për sa i takon sigurisë rrugore dhe shpejtësisë”.

Balluku tha se, ky aks rrugor ka edhe vepra arti, ndërsa është investuar në pjesën e gjelbërimit, ndriçimit dhe është trajtuar si një zonë urbane dhe jo si një autostradë jashtë qytetit.

“Segmenti rrugor në hyrje të Shkozës është i përfunduar dhe shpresojmë që brenda 30 ditëve që mbyllim punimet në pjesën e mbetur për të arritur që i gjithë segmenti rrugor nga Pallati me Shigjeta deri në Shkozë të jetë i përfunduar. Ndërkohë, nga sheshi Shqiponja deri tek Pallati me Shigjeta është afër përfundimit”, tha ajo.

Balluku tha se, po punohet me ritme të larta në lotet e tjera të kësaj vepre të rëndësishme për kryeqytetin.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.