Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Heshtni dhe i vini kapak këtij “gjirizi”…

Jorgo Mandili 

PROLOG

Sa herë afrohet festa e 29 nëntorit dhe e 5 majit , aq herë  shfaqet marrëzia e taborit të “tufëleshëve” për të hedhur baltë mbi LANÇ- in dhe DËSHMORËT e saj. Sjelljet, qëndrimet e veprimet e këtyre “mbeturinave toksike të historisë”, që merren edhe me luftëtarët e lirisë , djelmosha e cuca trimëresha idealistë, që u sakrifikuan në lule të rinisë për të çliruar atmëmëdheun nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionistë- quajini si të doni, qoftë neofashiste , ekstremiste, antihumaniste , antikombëtare , apo çfarëdo gjëje tjetër, synimi  është një dhe vetëm një –  Nihilizmi i LANÇ- it dhe Demonizimi i DËSHMORËVE  të saj. Çfarëdo përpjekjesh  qofshin, në instancë të fundit  nuk janë gjë tjetër, veçse një “marrëzi shqiptare” për të “ndryshuar  rrjedhën e një  lumi të ndyrë” , të një rruge tradhëtie  të cilën “etërit e tuaj biologjikë apo shpirtërorë” e zgjodhën me dëshirën e tyre. Për INTERES  dhe vetëm për këtë INTERES , ku kjo e fundit prevaloi mbi NDJENJËN KOMBËTARE  dhe i çoi në rrugën e djallit – Tradhëtisë!

PËR INTERES…

…luajtën ” bixhoz” me fatin e tyre. Në emër të ” antikomunizmit” dhe me shpresën për pushtet  pas lufte, bashkëpunuan me Hitlerin dhe këtë e quanin ” patriotizëm”!  Jo më kot  të gjithë këta bashkëpunëtorë me armikun, që “dinin se ç’bënin “, historiani Litlehojn , në librin e tij  “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania” ,në mënyrë ekselente  i ka cilësuar  “patriotë tradhëtarë” . Vepronin si tradhëtarë e hiqeshin si patriotë- gjendja “kuislinge” e  të gjitha kategorive që bashkëpunuan me pushtuesin, në një moment historik  si Lufta e dytë Botërore ku : ” …historia vuri përballë njëra-tjetrës forca shoqërore të kundërta të kombit shqiptar, forcat patriotike të qytetit dhe të fshatit të udhëhequra nga komunistët dhe pushtuesit të huaj, klasat e pasura, forcat reaksionare të grumbulluara në: “Ballin Kombëtar,” “Legalitetin” dhe forca të tjera . (Kujtime të Herman Frank, ish komandant batalioni të Div. 287 Gjerman që veproi në vitet 1943-1944 në Shqipëri, “Historia e hidhur” e Reginald Hibbertit, “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945 të Berd J. Fischer) . Dhe cilat janë  këto klasa të pasura ? Përgjigjen e jep Fulci, drejtuesi i  zyrës së shërbimit strategjik amerikan në Shqipëri  ,i cili  në një raport që i dërgonte në 1944-n, Uashingtonit mbi gjendjen e këtyre forcave të përfshira në qeverinë kuislinge  shkruan: “Nuk është e rastit që këta anëtarë të këtij grupi përkrahnin planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët, në të cilin qëndrojnë në miqësi me nazistët gjermanë… Elementët përbërës të këtyre grupeve janë: bejlerët e pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut si Vërlacët, Virionasit, Vlorat, Libohovët, etj; bajraktarë e kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lurës, Dinet, Elezët, etj; katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit, Bushatit, Markagjonët, Çobët, Harapët, etj., elementët ballistë shumica e të cilëve kanë dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresat e bejlerëve të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë e të xhandarmërisë, zyrtarë profesionistë,  tregtarët e pasur, mjekët e juristët e privilegjuar, etj. shumica e këtyre elementëve (me përjashtime të vogla) janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë influencat thelbësore më anti demokratike të vendit” ( Po  aty).

Nuk i akuzojmë ne, por aleatët dhe bashkëpunëtorët  e tyre ! Mund ta mbyllnim këtë shkrim këtu se gjithçka është shkruar e zeza mbi të bardhën . Gjithçka është  e qartë! Por janë trilluar  kaq shumë  alibi të papajtueshme  nga ju për atë që  ka ndodhur me etërit tuaj , saqë detyrohemi t’i shkojmë deri në fund  këtij “momenti historik”,  pavarësisht se  gjërat janë të qarta.  Por përpjekjet tuaja , që  kërkoni t’i bëni  të paqarta ,t’i deformoni  e shtrëmbëroni faktet, ngjarjet e të vërtetat  historike ,na i bëjnë të pamundur  tërheqjen,  pa shpjeguar se si  duhet ta kuptojmë këtë moment historik të ” tradhëtisë patriotike” ?  Kur të ketë mbaruar gjithçka, në dritën e një pasqyre të re, paqartësia do të zbehet  dhe të gjithëve do t’u bëhet e qartë thelbi i “momentit historik  të tradhëtisë së tyre patriotike  me ndërgjegje” , me dëshirë  për atë ç’ka kanë bërë . Secili ka përgjigjet e veta për pyetjet e kohës. Edhe ne kemi pyetjet tona. Duke bërë ” avokatin e djallit” le  të  bëjmë  disa pyetje të kohës. Fillojmë me pyetjen e parë:

1- Nëse nuk do të kishin bashkëpunuar me pushtuesin etërit tuaj, pse  do t’ia mbathin pas lufte së bashku me  ta? A nuk konfirmon kjo vërtetësinë e këtyre “ikanakëve kuislingë”  si bashkëpunëtorë të tyre? Madje këtë “zanat”  nuk e harruan edhe pas lufte, me ” pronarë” të rinj ,tashmë në emër” të çlirimit  të popullit nga komunizmi”. Në fakt , jo se u ” dhimbsej ” populli që ” vuante” nën “zgjedhën komuniste” , por u dhimbsej  pushteti e pasuria , që i humbën nga  disa ” çiliminj”. Mendësi , që edhe në luftë,  ” në vend të pushkës” rrëmbyen  “gota dhe enë” : le të vriten ata ( partizanët)  se në fund fitorja do jetë jona …pse këtyre çiliminjve, që nuk kanë bukë të hanë e brekë në b…do t’u besojë populli të qeverisin? Por, kur panë se po u ikte ” zogu” nga duart filluan t’u “fërkoheshin” anglezëve që t’i ndihmonin për  pushtetin, aq sa i revoltuar  gjenerali anglez Dejvis,  i shkruante Komandës Aleate nga Shqipëria në v.1943: “Këta  njerëz ( etërit e  pinjollëve të sotëm, sh.im) janë mësuar të bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët, e tani përpiqen të bëjnë këtë rol edhe me ne, prandaj rekomandoj t’u bëhet atyre edhe një paralajmërim i fundit, se mbas lufte, do të dalin para gjyqit si kriminel lufte”. E kanë thënë ata, jo ne! Ata ,aleatët e tyre , që u shtrinë dorën për bashkëpunim para partizanëve .Kalojmë tani në pyetjen e dytë :

2- Përse nuk vepruan edhe këta “patriotë” (që pretendonin se ishin “Balli i Kombit”) si antikomunistët më të mëdhenj Ruzvelt e Çërçill , të cilët bashkëpunuan me komunistin më të madh Josif Stalinin  për të shporrur nazifashizmin?  Por që nuk hoqën dorë kurrë nga lufta kundër komunizmit? Dhe sikurse dihet ia arritën qëllimit pas 45 vjetësh. Përse etërit tuaj nuk u bashkuan me këtë strategji të aleatëve anglo- amerikanë kundër komunizmit , por iu bashkuan pushtuesve?  Mos vallë këta  “patriotë tradhëtarë” ishin më antikomunistë se  Ruzvelti dhe Çurçilli? Nëse etërit tuaj, do të mbanin qëndrimin e aleatëve anglo- amerikanë , të cilët ishin të ” preferuarit” e tyre (ishin ballistët të parët që këta aleatë u shtrinë dorën për bashkëpunim  kundër nazifashistëve) , atëherë do të kishin të drejtën legjitime për të marrë pjesë në zgjedhjet pas lufte .Këtë nuk e bënë. Por bënë të kundërtën e tyre . U bashkuan me armikun botëror.

Atëherë  të detyruar aleatët anglo- amerikanë  u afruan me rezistencën duke njohur edhe luftën e tyre Antifashiste dhe  Nacional – Çlirimtare. Të detyruar , sepse panë përkushtimin e patriotizmin e tyre  për çlirimin e Atdheut , të organizuar në  njësitet guerile, çeta,batalione ,brigada, divizione e korparmata, me një ushtri me 70000 partizanë , të udhëhequr nga një Shtab i Përgjithshëm dhe një komandat  si  gjeneral kolonel Enver Hoxha i lidhur ngushtë me misionarët amerikanë dhe anglezë ! Jo me sovjetikët. Asnjë mision sovjetik nuk kishte gjatë luftës . A është fakt historik ky? I padiskutueshëm .Atëhere pyesim:

3- Përse mohoni  rolin e PKSH  që organizoi, drejtoi dhe çliroi vendin nën udhëheqjen e Komandantit të  Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ- it , gjeneral kolonel Enver Hoxha?  Përsa kohë do ta mohoni dhe fshihni këtë fakt historik? Si do t’u përgjigjet historia brezave të ardhshëm se ku e kish ushtrinë: ” Balli i Kombit”, Shtabin e Përgjithshëm , betejat e Komandantin e Luftës etj? Nëse pretendohet se historia është shkencë, atëherë duhet të jetë objektive , të thotë të vërtetën për Fitimtarët  dhe Humbësit , ku këta të fundit  “gëlltitën çorbën e prishur ” dhe domosdo merituan  – Humbjen ! Fitimtarët kanë bërë, bëjnë dhe do të bëjnë historinë  si në kohë lufte edhe në kohë “demokracie” ! Kështu ka qenë,  është dhe do të jetë! Ky është një proces historik  i pakthyeshëm dhe një ligj universal i historisë së njerëzimit .” Harku i Triumfit”  në shumë vende të botës është metafora më emblematike që shpreh simbolikën e Fitores ! E  kjo u takoi partizanëve, të udhëhequr nga PKSH dhe Enver Hoxha si udhëheqësi i saj. Humbësit – nga ” Balli i Kombit” mbetën në “Bishtin e Kamionit të Historisë”! Çdo përpjekje tjetër për ta ndryshuar këtë rrjedhë është p …me rigon,është sharlatanizëm!  Tani i vjen radha pyetjes së  katërt:

4- Ju akuzoni komunistët se nuk luftuan për çlirim , por për të marrë pushtetin! ” Hiç , po Abili”- thuhet nga anët tona. Prandaj po ju pyesim: ky pretendimi i juaji është shaka apo e keni seriozisht ?  Së pari, na tregoni një luftë , që në instancë të fundit nuk bëhet për pushtet . Pse duhet të bënin përjashtim komunistët shqiptarë? ( Madje edhe në “demokraci” përse bëhet “lufta” ? Për popullin  për mirëqenien e tij apo për pushtetin e më të fortëve?). Së dyti , a e çliruan vendin partizanët ? Pavarësisht pretendimeve apo kontestimeve tuaja , ata parakaluan si Çlirimtarë në kryeqytetin e Shqipërisë. Pas çlirimit , çfarë duhet të bënin ? T’jua jepnin  pushtetin etërve tuaj?  Edhe vendin e çliruan edhe pushtetin e morën! Ju e quani ilegjitim ! Atëherë po ju bëjmë pyetjen e pestë

5-  Përse e quani ilegjitim ? A u bënë zgjedhjet të “lira  të ndershme e demokratike” , ashtu sikurse bëhen edhe sot?  U bënë – thoni ju  – por pa opozitë . Ku ishte opozita?  Ku ishin etërit tanë ? Ku ishte “Balli i Kombit” ?  Dakord  ,u themi ne, nuk ishin , por kush ua kishte  fajin që ikën dhe e lanë fushën e lojës? Pse dolën nga loja?  Nëse do  të ishin në ” lojë”,  d.m.th  të kishin luftuar vërtetë, jo vetëm që do të ishin opozitë e fortë , por  edhe mund të fitonin , sepse do të kishin edhe aleatët anglo- amerikanë përkrah ! Kur një skuadër nuk paraqitet në lojë a quhet e ligjshme fitorja?  Sigurisht që po! Atëherë, jo vetëm që pretendimi tuaj bie poshtë , por etërit tuaj duhet të mbajnë përgjegjësi historike edhe për vendosjen e komunizmit në Shqipëri, sepse  ua lënë fitoren “aforfe” komunistëve . (Ashtu sikurse mbajnë përgjegjësi edhe aleatët anglo – amerikanë , që nuk ia hodhën dorën Shqipërisë, por ia lanë Stalinit dhe Titos). Ky ishte  gabimi i dytë fatal i etërve tuaj pas të parit – Tradhëtisë !

Gabime këto që kanë të njëjtin burim- Interesin e  etërve tuaj për të mbrojtur privilegjet e pasuritë e tyre,  duke u sjellë me djallëzi  sipas parimit ” mishi të piqej  dhe helli të mos digjej “!  Fitoren e deshën ,por pa luftuar .E deshën në tavolinë!  Por i bënë llogaritë pa hanxhinë ! Shpresonin se do të dilnin të fituar kushdo që të fitonte. Nëse fitonin nazifashistët , ishin brenda ” tavës” ! Kishin  edhe  një “marrëveshje ” për Shqipërinë Etnike” . Një marrëveshje  formale që nuk u njoh nga asnjë  shtet, përveç Hitlerit ! Nëse fitonin aleatët , besonin se ata do të ndërhynin dhe nuk do të lejonin që pushtetin ta merrnin komunistët ! Ëndërr që vazhdoi edhe më vonë në “Mërgatën e Qyqeve” me krijimin e “Komitetit të Shqipërisë  së Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin,  por që dështuan me turp edhe në këtë lojë antikombëtare .

Por le të kthehemi tek “loja në kohën e luftës”. Prandaj po ju bëjmë pyetjen e gjashtë:

6- Çfarë do të ndodhte me këtë “lojë”  të etërve tuaj , nëse nuk do të ekzistonte LANÇ- i , që solli  Qeverinë demokratike pas lufte?  A do ta linin sllavo – grekët  një  Shqipëri  pa e shpërbërë, nëse do të kishte një  shtet kolaboracionist pas lufte ? Për fqinjët tanë jugorë e veriorë, kjo  do të ishte “veza e artë” për ta! Një moment historik për të riparë kufijtë  e Shqipërisë , sikurse ndodhi me disa shtete kolaboracioniste të Europës. LANÇ- i  dhe Qeveria Demokratike e pas luftës  u tha ndal orekseve të tyre, se në sajë të tyre Shqipëria  ishte rreshtuar me fituesit e mëdhenj . Falë 29 nëntorit u çimentua edhe 28 nëntori ! Falë asaj Lufte kemi ende edhe sot kufijtë territorialë  të paprekshëm! Por edhe Kosovën.

7-Çfarë do të ndodhte me këtë të fundit , nëse Partia Komuniste nuk do të kishte ndërhyrë për t’iu bashkuar Aleancës Antifashiste? A nuk kishte të drejtën legjitime sërbi për ta  ” shfarosur” si bashkëpunëtore e  Hitlerit? Sidomos me  ekzistencën e batalionit SS,” Skënderbeg” ? Ishte ajo Luftë , gjaku i dëshmorëve të saj  dhe trimëria e partizanëve tanë deri në Vishegrad  për çlirimin e Kosovës,që e rreshtoi edhe këtë të fundit me Aleancën Antifashiste. Dhe pyetja e tetë dhe e fundit :

8- Përse qeveria kuislinge shqiptare nuk dha llogari në konferencën e Paqes? Qëndrimet që mbajtën qeveritë dhe partitë e vendeve të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore u gjykuan në Konferencën e Paqes, e cila u mblodh fill pas Luftës, më 1946. Qeveritë që ishin rreshtuar përkrah Koalicionit të Madh Antifashist anglo-sovjeto-amerikan u thirrën si aleatë në Konferencën e Paqes. Përkundrazi, qeveritë që u rreshtuan përkrah bllokut hitlerian u thirrën në Konferencën e Paqes për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre armiqësore. Ndryshe nga qeveritë e Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Finlandës – qeveria kuislinge e Tiranës shpëtoi pa dhënë llogari në Konferencën e Paqes , falë pjesëmarrjes së Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në Luftën e Dytë Botërore përkrah Koalicionit të Madh Antifashist. Është fakt i pamohueshëm se në Konferencën e Paqes, u thirr Qeveria shqiptare e kryesuar nga komunisti Enver Hoxha. Përse nuk morën pjesë në këtë konferencë , qoftë edhe si dëshmitarë, përfaqësues të qeverisë  kuislinge, ish mbreti Zog, i cili pretendonte se përfaqësonte Legalitetin , Mit’hat Frashëri, kryetari i Ballit Kombëtar,  të cilin ballistët e trumbetonin si flamurtarin e madh të pavarësisë dhe të demokracisë shqiptare ? Përgjigja është e thjeshtë : për arsye të bashkëpunimit  me pushtuesit nazifashistë ! Por mosndëshkimi i qeverisë  kuislinge  shqiptare i dedikohet  fitores së LANÇ- it e komunistëve. Ndoshta kjo  është edhe një arsye e përpjekjeve  tuaja për të ndryshuar rrjedhën e ndyrë të historisë së tyre të zezë – për t’i amnistuar e dekoruar!  Paradoks shqiptar! Askujt deri më sot prej vendeve që kanë luftuar kundër nazi-fashizmit, për asnjë arsye nuk u ka shkuar nëpër mend për të amnistuar moralisht, ligjërisht, apo aq më tepër për t’i shfajësuar kolaboracionistët e nazi-fashizmit. Përveç  neofashistëve shqiptarë  të post ‘90!

Por çfarëdo përpjekjesh të bëni, etërit tuaj do dergjen në  Ferrin Nazist” ! Në “gjirizin” e tradhëtisë! Këtë turp ua “lanë në derë” etërit tuaj! Kurse LANÇ- i dhe Dëshmorët  e saj  do të mbeten “Yje të pashuar” në Panteonin e Historisë  së Shqipërisë !

E kuptojmë mllefin dhe zemërimin tuaj  patologjik  kundër LANÇ- it , fitorja e së cilës u rëndon në ndërgjegje si “pllakë varri”, sepse u kujton  në çdo nëntor të dytë ” ndërgjegjen e përdhosur” të tradhëtisë së etërve tuaj. Herë,  herë  ky zemërim dhe mllef merr edhe përmasat e çakërdisjes, urrejtjes, hakmarrjes, çmendurisë, nervozizmit, vlugut, egërsisë, mërisë, pra, një tërësie ndjenjash dhe pasionesh, jo humane, që po t’i bashkosh japin tërbimin. Po kush u a ka fajin ? Ata bij dhe bija , që në ” lulen e rinisë”  u flijuan për atmëmëdheun ? Këta , që gjithë kombet në botë i quajnë  “Dëshmorë” dhe  janë  një emër i ndritur për popujt e  tyre?

Të rënët në luftë nuk janë numra apo shifra, ( që ju luani me makrabitet  për t’i relativizuar ato), por janë vlera  hyjnore, ku nderimi e mirënjohja për ta  nuk mbetet vetëm në pllaka varresh, në lapidarë e memoriale ( të cilat ju i keni shkatërruar si vandalë që jeni) . Këto vlera të spikatura kombëtare janë të “hipotekuara ” në “zemrën e kombit” , sepse  janë pasuri që lidhin brezat , janë trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, vlerat dhe virtyteve të krenarisë sonë kombëtare . Janë materie e ndërgjegjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen, por edhe me  të ardhmen, sikurse ka theksuar edhe J.Biden: “Ajo që ne bëjmë tani, si e nderojmë kujtimin e të rënëve, do të përcaktojë nëse demokracia do të qëndrojë gjatë”. Çnderimi është neofashizëm!

Nëse jeni të tillë  e nuk keni sadopak humanizëm për  vdekjen sublime, të atyre njerëzve  të thjeshtë, komunistë, jo komunistë  apo kushdo qofshin, nuk ju mjafton , që kanë rënë  për atmëmëdheun!? Mblidhni mendjen dhe qetësoni zemrën tuaj të helmuar pagane primitive! Të paktën , heshtni ! Kush i ndaloi etërit tuaj të luftonin e të hynin në histori ? Me dëshirën e tyre hynë në “Epopenë e Tradhëtisë”!  Përse? Vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet e pasuritë e dhuruara nga shërbimet që u  kishin bërë si ” kuislingë” …”turqve, italianëve , gjermanëve… ” , sikurse i cilëson gjenerali Dejvis ! Prandaj:  Heshtni e mos luani me turpin që u “lanë në derë”  etërit tuaj! Sepse nuk keni asnjë shans për rehabilitimin e   kufomave të dekompozuara nga tradhëtia e tyre! As sot ,as mot, as kurrë! Çdo përpjekje e tillë është ndyrësi dhe ndyrësira të tilla populli nuk i do … “jo, vallahe / s’ua dum surratin: Buallicat në baltë e kanë rehatin! (Daj Ceni) Në këtë baltë të tradhtisë  etërit tuaj do ngelen përjetësisht! Mos u baltosni  edhe ju! I vini kapak  këtij “gjirizi” …