Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kalaja e rilindur e Tepelenës dhe zonat përreth, destinacion turistik e kulturor

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kalaja e Ali Pashë Tepelenës është kthyer në një ndër pikat turistike më interesante për vizitorët dhe turistët e huaj, pas investimit në rehabilitimin e rrugëve të brendshme të kalasë por edhe hapësirave rreth saj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi pamje nga transformimi i Kalasë  dhe i rrethinave ku thekson se, “është bërë shumë, por më shumë do të bëjmë”.

“Tepelena, Tepelena, thotë kënga… po tashmë Tepelena nuk është vetëm këngë, por edhe destinacion turistik e kulturor pasi po shndërrojmë atë që pakkush e besonte”, shprehet Kumbaro.

Kalaja e Tepelenës doli nga rrethimi absurd i ngrehinave pa leje, ferrave e plehrave përreth murit, si edhe u çlirua nga brenda prej gardheve e mureve, sustave për t’u kthyer në një destinacion turistik, ku godinat që nuk u prishën do të integrohen në një projekt banesash karakteristike, të cilat do t’u sjellin banorëve të kalasë të ardhura, si bujtina apo dyqane të vogla artizanati e produktesh të zonës.

Kalaja e ndërtuar nga Ali Pashai për të rrethuar sarajet e tij është monumenti më i rëndësishëm në Tepelenë. Me sipërfaqe 4.5 hektarë, ajo u ndërtua në vitin 1819 dhe sot është një ndër objektet më të rëndësishme historike me mjaft interes për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.