Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Katër kandidatë për kryetar të LSDM-së, vijon verifikimi në KQZ-në e partisë

Komisioni Qendror Zgjedhor i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë sot do t’i verifikojë kandidaturat për kryetar të partisë, pasi afati për aplikim skadoi dje në ora 16:00, përcjell TV21. Kandidaturë për kryetar të LSDM-së kanë paraqitur Dimitar Kovaçevski, zëvendësministër aktual i Financave, Frosina Remenski, ish-deputete dhe nënkryetare e LSDM-së, Vllastimir Aleksovski, anëtar dhe aktivist i LSDM-së nga organizata komunale e partisë nga Kumanova dhe Jovan Despotovski drejtori i Drejtorisë së Zonave të Zhvillimit Industrial Teknologjik.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, pas përfundimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke marrë përgjegjësi për, siç tha ai, rezultatet e dobëta në zgjedhje.

Me vendim të Këshillit Ekzekutiv janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake, që do të mbahen më 12 dhjetor të vitit 2021.

Procedura e kandidimit ka nisur më 27 nëntor dhe ka përfunduar dje.

Ndryshe, kandidatët për kryetar të LSDM-së duhet të plotësojnë kushtet si; të jetë së paku pesë vjet i anëtarësuar në parti, të jetë zgjedhur nga Kongresi së paku një herë si anëtar i njërit prej organeve të partisë.

Zgjedhjet lokale brendapartiake do të zhvillohen nga 80 komisione komunale zgjedhore dhe Këshilla të vendvotimeve.