Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

KE e shqetësuar me korrupsionin në Maqedoni

Vendi e ka një nivel të caktuar të gatishmërisë, gjegjësisht është mesatarisht i përgatitur për ta zbatuar të drejtën e BE-së dhe standardeve evropiane në sferën e qeverisjes të së drejtës Kapitulli 23. Në përgjithësi është arritur një progres i caktuar, përfshirë edhe përmes pavarësisë së përforcuar gjyqësore dhe zgjidhjen e rasteve të mosndëshkimit policor, thuhet në Raportin e KE-së për progresin e vendit. Raporti i KE-së i vërteton reformat e bëra në gjyqësi dhe tregon se ngelet të sigurohet zbatimi i tyre përkatës, me theks në nevojën e ekipit të institucioneve me kuadër të trajnuar dhe pajisje përkatëse. Në pjesën për cilësinë e gjyqësorit në Raportin e KE-së theksohet se buxheti i sistemit gjyqësor (buxheti për gjykatat, prokuroritë publike dhe ndihma juridike) është ulur me 8.3 për qind krahasuar me vitin 2019 dhe 2020, kur ishte 40 milionë euro ose 19.5 euro për kokë banori, që është nën mesataren për rajonin e Ballkanit Perëndimor prej 37.8 euro për frymë.

Digjitalizimi i paralajmëruar, nga ana tjetër, vlerësohet si një kafshatë shumë e madhe, duke qenë se deri më tani në masë të madhe varet nga donacionet e huaja, si dhe nga pagat jotërheqëse për punësimin e ekspertëve të duhur të IT-së. Raporti vlerëson se zbatimi i strategjisë gjyqësore vazhdon, përfshirë Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili siguron përgjegjësinë për krimet që rrjedhin dhe lidhen me përgjimet e paligjshme, dhe se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke përdorur kompetencat e tij të zgjeruara, vazhdon të ofrojë rezultatet, duke përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë.

Megjithatë, korrupsioni, thuhet në Raport, është shpërndarë në shumë sfera dhe ngelet çështje shqetësuese. Për vitin e ardhshëm, Raporti i rekomandon Maqedonisë të punojë në vazhdimin e përpjekjeve kundër korrupsionit, duke rritur mbështetjen për organet përkatëse, duke zbatuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit dhe duke ofruar udhëzime të qarta për institucionet shtetërore. “Duhet të sigurojë burime adekuate për Zyrën e Kryeprokurorit Publik për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në mënyrë që të sigurohet përgjegjshmëri efektive për veprimet që dalin dhe lidhen me përgjimet, si dhe për rastet e reja të profilit të lartë të korrupsionit; të vazhdojë të rritet ndikimi i gjykimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të ndjekur nga konfiskimi i aseteve kriminale, bazuar në rezultatet pozitive të vitit të kaluar”.

Raporti gjithashtu rekomandon që shteti të përmirësojë më tej performancën e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve për krim të organizuar dhe pastrim parash, dhe të demonstrojë aftësinë për të çmontuar në mënyrë efektive rrjetet e mëdha kriminale.

Për sistemin gjyqësor, raporti i KE-së vlerëson se është bërë njëfarë progresi në zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi, e cila adreson më tej rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe grupit të ekspertëve për çështjet sistematike të shtetit të së drejtës. Shteti vitin e ardhshëm, duhet të punojë në veçanti në përforcimin e implementimit konsekuent të strategjisë për reforma gjyqësore dhe planit të rishikuar aksional, me fokus specifik në sjelljen e një ligji të ri për procedurë gjyqësore, në pajtim me standardet evropiane; implementimi i strategjive për resurse njerëzore për rrjetin gjyqësor dhe të prokurorisë publike, duke i shfrytëzuar si indikator për projeksione për punësimet e ardhshme; si dhe përmirësimi i sistemit për sistemin automatik të rasteve gjyqësore – AKMIS, kështu që do të garantohet se është tërësisht funksional dhe i besueshëm.