Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kim: SHBA mbështet me forcë përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ “Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, që ashtu si përpjekja e suksesshme e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, është një qëllim i rëndësishëm strategjik që kërkon kontributin e ideve dhe përpjekjeve nga të gjitha palët”.

Kështu u shpreh sot ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, e cila zhvilloi një takim me drejtueset e komisionit parlamentar për Integrimin Europian, kryetaren Jorida Tabaku dhe nënkryetaren Etilda Gjonaj.

“Pak gjëra janë më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë sesa integrimi i saj në Europë. Në këtë takim u diskutua mbi progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2021, i cili vëren se Shqipëria “vazhdon të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përparoi në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformës së Bashkimit Europian”, si dhe fushat të cilat kërkojnë vëmendje të mëtejshme”, thuhet në një njoftim të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ambasadorja Kim u shpreh se “Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë me forcë se Shqipëria i përket Bashkimit Europian dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ne besojmë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, si dhe rrit stabilitetin dhe kontribuon në zhvillimin e popujve të rajonit”, tha ajo.

Ambasadorja Kim mirëpriti vendosmërinë e Komisionit për të forcuar llogaridhënien mbi veprimet e qeverisë, për të informuar publikun dhe për të përshpejtuar përparimin drejt përmbushjes së standarteve të Bashkimit Europian, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, masat kundër korrupsionit dhe pastrimit e parave në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), dhe reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.