Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

KOMENT – Fauci: Omicron mund të jetë tashmë në SHBA

NJU JORK, 28 nëntor /ATSH-DPA/ – Varianti omicron, një lloj i ri i Covid-19 që po shkakton panik në mbarë botën, mund të jetë tashmë i pranishëm edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha dje  se ndërsa nuk ka asnjë indikacion se virusi i mutuar ka dalë nga Afrika e Jugut, ku u zbulua fillimisht në fillim të kësaj jave, qytetarët duhet të kenë kujdes të veçantë dhe të mos e ulin vigjilencën.

Kur u pyet nëse ai besonte se omicron ka mbërritur tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fauci tha se “nuk do të habitej” nëse do të kishte mbërritur.

”Ne nuk e kemi zbuluar ende, por kur keni një virus që tregon këtë shkallë transmetimi dhe tashmë kemi raste të lidhura me udhëtimet që janë vërejtur në Izrael dhe Belgjikë dhe vende të tjera, kur keni një virus si ky, atëherë pothuajse një gjë e tillë po ndodh edhe te ne”, tha Fauci gjatë një interviste në emisionin ”Today”.

Ministri i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut njoftoi të enjten zbulimin e variantit, i cili duket se po përhapet me shpejtësi në pjesë të vendit.

Më pak se 24 orë më vonë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e caktoi atë si një “variant shqetësues”, duke e emërtuar atë omicron gjatë një takimi urgjent të mbajtur të premten.

Ndërsa për shumë omicron është ende një mister, ekspertët e shëndetit kanë sugjeruar se lloji i fundit i Covid mund të jetë më i transmetueshëm dhe t’i bëjë vaksinat më pak efektive.

Sipas shkencëtarit të Afrikës së Jugut, Tulio de Oliveira, varianti përmban më shumë se 30 mutacione në proteinën spike ose pjesën e virusit që infekton qelizat e shëndetshme.

Shumë prej këtyre mutacioneve kanë qenë të lidhura me rritjen e rezistencës së antitrupave, të cilat mund të ndryshojnë mënyrën se si virusi ndërvepron me trajtimet dhe injeksionet si dhe ta bëjë atë më ngjitës.

Deri më tani, omicron është gjetur në shumë vende, duke përfshirë Izraelin dhe Belgjikën.

Dje, ministri britanik i Shëndetësisë Sajid Javid konfirmoi se dy raste të lidhura të variantit janë zbuluar në Britanië e Madhe.

Vende të tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian kanë pezulluar të gjitha udhëtimet nga Afrika e Jugut.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten kufizime për udhëtarët nga tetë vende afrikane, të planifikuara për të hyrë nesër në fuqi.

Fauci tha se ndalimet e udhëtimit janë thjesht një mënyrë për të blerë kohë duke pasur parasysh kërcënimin e virusit.

”Çështja e bllokimit të udhëtimit nga një vend i caktuar është thjesht për të na dhënë kohë për ta vlerësuar atë më mirë”, tha ai.

“Kjo është arsyeja për ta bërë këtë, jo ndonjë arsye për panik, por ne duam të na japim pak kohë për të mbushur me të vërtetë boshllëqet e asaj që nuk e dimë”, shtoi Fauci./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.