Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Komisioni hetimor për 25 prillin, Alibeaj: E drejtë ekskluzive e çdo anëtari të thërrasë dëshmitarët

TIRANË 22 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se deputetët e PS-së ikën nga mbledhja për të pamundësuar veprimtarinë e komisionit.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së komisionit, Alibeaj tha se mbledhja e sotme kishte të njëjtin rend dite si dy ditë më parë, miratimin e rregullores.

“Kërkuan kohë që në mbledhjen e parë. Nuk erdhën ditën e caktuar për mbledhje, sot u mblodhëm dhe siç ramë dakord në mbledhjen e parë, caktuam dy përfaqësues për secilën palë, Nasip Naço dhe Ervin Salianji të cilët relatuan sot në mbledhje nëse kishin  arritur një dakordësi apo jo, në një draft të paraqitur në komision. Nuk ishte arritur një dakordësi, e për këtë arsye ishte detyrim edhe i rendit të ditës dhe i ligjit për të kaluar në votimin e rregullores. Deri në nenin e 17 u miratuan të gjitha dispozita pa asnjë votë kundër dhe befasisht deputetët e PS-së u larguan të gjithë. Pra ishte një strategji e menduar prej tyre për të bërë të pamundur veprimtarinë e mbledhjes së komisionit, pa asnjë arsyetim”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se dy ishin propozimet e palës tjetër për të cilat nuk u ra dakord dhe ka një arsye pse nuk u ra dakord.

“E para drejtimi i komisionit. Ligji e përcakton fare qartë që komisioni hetimor drejtohet nga kryetari, i cili cakton datën, orën dhe rendin e ditës. Propozimi tjetër ishte akoma dhe më i rëndë dhe demaskon qëndrimin e PS-së. Bëhet fjalë për një çështje që ka qenë gjithmonë debat, por që tashmë është zgjidhur më shumë se 10 vite më parë, pasi kjo çështje ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe ligji cakton fare qartë në nenin 14. Bëhet fjalë për të drejtën e çdo anëtari të Komisionit Hetimor për të kërkuar marrjen e provave dhe kjo e drejtë pranohet pa votim. Është një e drejtë ekskluzive çdo anëtari, të thërrasë dëshmitarët, të kërkojë dokumente, të kërkojë ballafaqime, ekspert, pra është e drejta e drejta për të hetuar. Pra, thelbi i Komisionit Hetimor, e drejta për të hetuar. Pra e drejta e opozitës për të hetuar sipas ligjit është e pakufizuar, nuk i nënshtrohet votimit”, tha Alibeaj.

“Propozimin e kishte sjellë Nasip Naço, meqë s’kishte rënë dakord me të drejtë me Saljanjin. Ishte kërkesa për hetime për të marrë prova, për të thirrur Kryeministrin, ministrat, kryetarë bashkish apo çdo titullar tjetër që duhet të japë llogari para Komisionit Hetimor t’i nënshtrohej votimit, pra t’i nënshtrohej shumicës socialiste. E para është në mënyrë flagrante me ligjin, e dyta kuptohet strategjia duke kërkuar që kjo t’i nënshtrohej votimit ku shumicën e ka PS dhe çdo kërkesë e deputetëve për të hetuar do të rrezohej me forcën e kartonave  të tyre që janë në akuzë. Për këtë arsye nuk u ra dakord. Duket se për këtë arsye ishte largimi”, theksoi Alibeaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.