TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu deklaroi sot se “provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore”, nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht”.

“Në shkelje të ligjit për komisionet hetimore dhe të rregullores së Kuvendit, në mënyrë të posaçme të nenit 76, kryetari i komisionit hetimor Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e mazhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draftrregullores deri në shkeljen flagrante të mosmarrjes në konsideratë të rezultatit të votimit”, tha Gogu.

Ai theksoi se “pas thirrjeve të vazhdueshme për të futur në shinat e ligjshmërisë procesin e votimit, u detyruam të kërkonim pushim”.

“Ne mbetemi vullnetplotë për rifillimin në çdo moment të mbledhjes në respekt të plotë të Rregullores së Kuvendit. Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore” nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht. Gjithashtu jemi të vendosur të mos lejojmë në asnjë moment në veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, imponimin e dhunshëm të kulturës së tyre partiake të votimit”, tha Gogu.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.