Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Komisioni për Çështjet Ligjore, shqyrtoi dy projektligje

TIRANË 19 tetor /ATSH-I.Vata/ Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e tij të radhës, mori në shqyrtim dy projektligje, njërin prej të cilëve e miratoi vetëm parimisht.

Pas miratimit për futjen në programin e punës të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19”.

Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut  për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, gjatë prezantimit të projekt-ligjit për komisionin, sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje kuadër, e cila është iniciuar duke marrë parasysh fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, vullnetin për të forcuar dhe zhvilluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe synimin për arritjen e objektivave për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal e evropian.

Mahila theksoi se marrëveshja është përpiluar me asistencën dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë të misionit PAMECA dhe do të ndihmojë në forcimin e menaxhimit të integruar të kufijve.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.