Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Konstituohet Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË 18 tetor /ATSH-I.Vata/ U konstituua sot Komisioni Hetimor për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit 2021 është mbledhur sot nën drejtimin e kryetarit Enkelejd Alibeaj për të shqyrtuar rendin e ditës.

Zëvendëskryetari i këtij komisioni, Toni Gogu, përfaqësues i PS-së kërkoi që në mbledhjen e sotme të kryhej konstituimi dhe materialet e tjera të rendit të ditës të shtyhen për mbledhjen e ardhshme.

Anëtari i komisionit Gazment Bardhi tha se “ka një problem në përbërjen e komisionit se ka 16 anëtarë”. Sipas tij, dikush nga kolegët e mazhorancës nuk duhet të jetë anëtar i komisionit, sepse anëtarët zëvendësues nuk marrin pjesë në mbledhje duke qenë se ligji përcakton se Komisionet Hetimore kanë 9 anëtarë dhe jo më shumë se 15.

Më së pari, vijoi Bardhi, “komisioni duhet të ketë miratuar dhe rregulloren, e cila është standarde, e certifikuar disa herë nga çdo komision hetimor i ngritur prej vitesh”.

Komisioni ka në përbërje: Enkelejd Alibeaj, kryetar, Toni Gogu, zv.kryetar, anëtarë Klotilda Bushka, Blerina Gjylameti, Aurora Mara, Klevis Xhoxhi, Nasip Naço, Petro Koçi, Bardhyl Kollçaku nga PS; Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferraj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku nga PD dhe Petrit Vasili, deputet i pavarur. Secili prej grupeve parlamentare përcaktoi edhe anëtarët zëvendësues; Xhemal Qefalia, Etien Xhafaj nga PS, Arbi Agalli, Lindita Metaliaj nga PD.

Kryetari i komisionit, Alibeaj deklaroi konstituimin e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.