Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kontrollet e shtuara mbi autobusët shkaktojnë rrëmuja në trafik

Mefail Ismaili

Qytetarët të cilët duhet të udhëtojnë me autobusin e linjës 9 e cila qarkullon nga Fushë Tophana në Çair dhe deri tek Spitali i Shtetit, sot po presin thuajse gati një orë për të hipur në autobusë. Kjo për shkak se janë lëvizjet shumë të vogla të autobusëve. Siç thonë qytetarët sot nuk i kanë vërejtur që të jenë në qarkullim autobusët privat të kësaj linje.

Qytetarët thonë se nuk mund të hipin edhe në ato pak autobusë të cilët po kalojnë, për shkak se vazhdimisht janë të mbushur me udhëtarë.

20 minuta pres autobusin këtu! Sa autobusë kanë kaluar deri më tani? Vetëm një dykatësh dhe ai ishte plotë nuk mundëm të hipim.

Ka nja gjysmë ore… Nuk ka qenë asnjëherë kështu, por ja, disa mezi që hipën, por çka është puna nuk e di.

Pres gjysmë orë e më tepër. Pse nuk e di saktë.

Gjysmë orë e më tepër pres… këtë periudhë vazhdimisht është kështu.

Disa nga qytetarët mendojnë se në linjën nr. 9 duhet të shtohet numri i autobusëve.

Dje një orë kam pritur këtu dhe nuk linin me hipur në autobus. Pse ashtu? Sepse nxënësit rrinin në derë, autobusi ishte deri në gjysmë por nxënësit nuk shkonin përpara. A është shpesh këtu. Dje dhe sot më ka bërë vaki. Edhe më shpesh me pas autobus shkaku i njerëzve, njerëzit presin shumë, ka shumë pleq që nuk mund të presin, unë tani duhet të jem në mjek në tre e gjysmë dhe nuk e di a kam me mbërri.

Çdo ditë është kështu, rreth një orë e më tepër. Dy ose tre autobusë duhet ti lëshojmë sepse vijnë të mbushur, kemi dy shkolla ka këtu, këtu edhe një linjë duhet të ketë patjetër.

Nga ndërmarrja “Slloboden Prevoz”, e cila e ka numrin më të madh në linjën 9, thonë se autobusët privat të kësaj linje, sot nuk kanë qenë në qarkullim për shkak të kontrolleve të jashtëzakonshme teknike të realizuara nga MPB.

“Sot ishte ditë ku kishte kontrolle të jashtëzakonshme të autobusëve nga ana e policisë së trafikut, të cilat dërgohen në kontroll teknik. E deri sa kryhet kontrolli teknik, autobusët nuk mund të dalin në linjë. Kjo është arsyeja pse sot është paraqitur pritje më e gjatë në terminë të caktuara”- tha Lenin Jovanovski, Kompania “Slloboda Prevoz”.

Ndërsa nga ndërmarrja për Transport Publik në Shkup thonë se vetëm tre autobusë të tyre qarkullojnë në këtë linjë.

Në linjën 9 shërbejnë 14 automjete, nga të cilat 3 janë të NTP Shkup, ndërsa 11 automjetet tjerat janë të transportuesve privat. Automjetet e NTP Shkup i realizojnë rregullisht të gjitha terminët e caktuara  ë pajtueshmëri me rendin për udhëtim.

Nga MPB thonë se kontrolle të autobusëve ka pasur edhe dje dhe do të zbatohen në vazhdimësi. Nga policia thonë se për një vit, nga nëntori i vitit të kaluar e deri më tani, për parregullsi kanë sanksionuar mbi 400 automjete për transport publik.