Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

KPA lë në fuqi vendimin e KPK, konfirmon në detyrë Lindita Male (Ziguri)

TIRANË 6 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën për shpalljen e vendimit të subjektit të rivlerësimit Lindita Male (Ziguri).

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pasi analizoi provat dhe faktet vendosi ta konsideroi të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke konfirmuar në detyrë prokuroren Lindita Male (Ziguri).

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi, më datë 02.12.2021 seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Lindita Male (Ziguri).

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik vlerësoi se në kuptim të nenit 4, pika 2 të ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit ndodhet në situatën e parashikuar nga neni 61, pika 3 dhe 5 e ligjit nr. 84/2016, sipas së cilës ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë për kontrollin e pasurisë dhe ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të vendos ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, Lindita Male (Ziguri) kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se gjatë procesit në Kolegj, ka arritur të provojë të kundërtën e ankimit bazuar në ligj, nëpërmjet provave bindëse dhe shteruese. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 12.01.2021 ka vendosur Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Lindita Male (Ziguri), prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Po sot, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi analizoi provat dhe faktet e konsideroi të drejtë vendimin e KPK.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.