Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kriza energjetike, Rama: Do të vendosim mburojën për familjet dhe për biznesin e vogël me çdo kusht

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sërish theksoi sot se konsumatori familjar dhe biznesi i vogël do të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë.

Gjatë një interviste në një media, i pyetur lidhur me rritjen e çmimit të energjisë për biznesin e madh, Rama tha se çmimi do të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë, por se është detyra e qeverisë të mbrojë këto kategori.

“Çmimi i energjisë është vendosur nga ERE në masën 9.5 lekë për kilovat-orë, por sot një pjesë e madhe e konsumatorit familjar nuk e paguan në këtë masë, pasi qeveria kompenson faturën e tyre. Qeveria për këtë paguan shuma të mëdha që të kompensojë familje me ndihmë ekonomike që janë në pamundësi ekonomike për të paguar çmimin e vendosur nga ERE”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, pasi ERE të vendosë për çmimin, qeveria do të vendosë për mburojën.

“Ne do të vendosim mburojën për familjet dhe për biznesin e vogël me çdo kusht. Principi ynë është i pandryshueshëm: kush fiton më shumë, paguan më shumë”, deklaroi Kryeministri.

Rama mohoi pretendimet se kriza energjetike ka ardhur për shkak të keqmenaxhimit.

Sipas tij, ka një protokoll për operimin e kaskadës, që duhet zbatuar.

“Ka ndodhur në qeverisjen e mëparshme që u mbajt mbi norma niveli i liqeneve në kaskadë dhe reshjet e para të dendura të shiut çuan në përmbytje të mëdha, pasi rrezikohej siguria e digave”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.