Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kumbaro: 6 impiante të përpunimit të mbetjeve, mbulojnë 74% të popullsisë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi “janë 6 impiante të përpunimit të mbetjeve që mbulojnë 74% të popullsisë përkundrejt 16% në vitin 2013”.

Në fjalën e saj, në mbledhjen e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive dhe prefektët për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve, ministrja Kumbaro tha se “me të dhënat e INSTAT në 2013 rreth 50% e mbetjeve të qytetarëve shkonin në kosh, gjysma tjetër hidhej ku të ishte e mundur, lumenj përrenj, brigje duke masakruar këtë peizazh që sot e cilësojmë me krenari dhe e vlerësojmë. Madje jemi duke e kthyer edhe në ekonomi turizmi”.

“Nga këto 50% që hidheshin në kosh vetëm 16 % organizoheshin për t’u depozituar në një vendgrumbullim. 8 vjet më pas sërish i referohem INSTAT, 82% e mbetjeve të grumbulluara dhe nga këto 69% depozitoheshin në një landfill apo impiant të trajtimit të mbetjeve. Dy pika fundore ka pasur se pastrimi i territorit nuk është merr hidh në kosha e hidhi diku cikli është nga koshi në pikën fundore të mbetjeve, që nuk i kemi shpikur, por i ka shpikur bota, landifilli”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “dy pika fundore ka pasur në vitin 2013, Bushati dhe Sharra dhe jemi shumë larg të thënit se Sharra ishte një landfill me kushte të trajtimit të mbetjeve, ishte një masakër e madhe ambientale”.

“Sot kemi 6 impiante trajtimi, Shqipëria nuk është me sipërfaqe sa Kina, është një territor që me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit është e ndarë në 7 zona të menaxhimit të integruar të mbetjeve”,- shtoi Kumbaro.

Më tej, Kumbaro theksoi se “sot kemi hyrë në një stad të ri zhvillimi ku ka evoluar menaxhimi integruar i mbetjeve, por edhe ndërgjegjja e shoqërisë.  Për të shkuar tek zbatimi i parimit se ndotësi paguan, ne do të kemi edhe disa pika se kush do të paguajë dhe si do të paguajë. Tani që flasim po ndërtohet landfilli i Vlorës, inceneratori i Elbasanit, planifikimi i investimeve që do të ndërtohet inceneratori i Fierit si dhe i Tiranës që do të mbulojë Durrësin dhe Tiranën”.

Sa i përket administrimit të mbetjeve, Kumabro tha se “është detyra e bashkisë, por pasojat e mira dhe të këqija janë të qytetarëve. Territorin e bashkisë duhet ta mbushim me ekoparqe dhe jo me landfille. Nuk duhet të na zërë gjumi, sa kohë që kemi trashëguar më shumë se 100 venddepozitime të paligjshme, të cilat vetëm ne do t’i pastrojmë”.

“Jemi të gjithë në terren duke punuar, por nuk mungojnë edhe shembujt dhe modelet pozitive”,  tha Kumbaro.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.