Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kumbaro: Fond shtesë për menaxhimin e mbetjeve për bashkitë bregdetare

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Në projektbuxhetin e vitit 2022 do të ketë një fond rezervë të dedikuar për mbetjet, që do të shkojë paralel me performacën e bashkive, ku prioritet kanë bashkitë e bregdetit.

Kështu deklaroi në një dalje për mediet pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua projektbuxheti i vitit 2022 ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Ju dhe opinioni publik ndoqët sot takimin me Kryeministrin të organizuar me kryetarët e bashkive që në mënyrë shumë të qartë doli prioriteti tashmë i konfirmuar që në ditën e parë të mandatit të kësaj qeverie, që ka të bëjë me pastrimin e territorit dhe menaxhimin e mbetjeve, në mënyrë që të jetë një urë që mbështet zhvillimin e turizmit. Kjo nuk ishte bisedë publike dhe aspak propagandë, por në fakt është mbështetur për buxhetin 2022 në mënyrë të pazakontë me vitet e tjera, çka konfirmon prioritetin që i japim këtij programi që ka të bëjë me pastrimin e territorit, menaxhimin e mbetjeve nga çibanët e trashëguar historikisht nga venddepozitimet ilegale të mbetjeve, me një buxhet që do t’i japë mundësi qeverisë që të ndërhyjë me instrumente për t’i mbështetur bashkitë”, tha Kumbaro.

Ajo theksoi se, “ne jemi në komunikim të përditshëm me kryetarët e bashkive lidhur me këtë prioritet. Por kërkesa dhe detyrimi që ne kemi përpara qytetarëve që kjo çështje të jetë prioritet në buxhetin e bashkive do të jetë e harmonizuar me prioritetin që ne japim në buxhetin e qeverisë, ku do të ketë një fond rezervë të dedikuar për mbetjet që do të ecë paralel me performacën e bashkive, por sidomos me prioritet bashkitë e bregdetit. Kjo sepse siç dihet, fluksi më i madh i turizmit grumbullohet atje në periudhën e verës. Pra kemi dy instrumente atë parashikuara në buxhetin e këtij viti me ndërhyrje të drejtpërdrejta nga qeveria por dhe institucione, agjenci qeveritare, por edhe me një fond rezervë të dedikuar për këtë gjë”.

“Po kështu në përgatitje të sezonit turistik do kemi një projekt të ri që do të fillojë që në krye të vitit 2022 për të bërë rikualifikimin e të gjitha pikave hyrëse në kufi të Shqipërisë, ku janë në fakt dhe porta e parë e mirëseardhjes së turistëve, por edhe porta ku i përcjellim ata. Prioriteti për një Shqipëri të pastër gjeti menjëherë pasqyrim në buxhetin e vitit 2022”, përfundoi Kumbaro.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.