TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim në Lezhë me kryetarin e bashkisë, Pjerin Ndreu dhe stafin e tij, me fokus menaxhimin e mbetjeve dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.

Kumbaro theksoi se, Lezha kaloi një sprovë të mirë në menaxhimin e mbetjeve sezonin e kaluar.

“Pastrimi kushton shumë, por është një kosto që duhet ta marrim përsipër të gjithë. Shëngjinit i dhjetëfishohen turistët gjatë muajve të verës, por Lezha kaloi një sprovë të mirë në menaxhimin e mbetjeve sezonin e kaluar dhe janë të gjitha shanset që të jetë model i pastërtisë në stacionet e plazheve”, tha Kumbaro.

“Kur i rri punës në kokë si një amvisë e mirë, puna të nxjerr në dritë. Lezha që ka detin, luginat, kulinarinë dhe muzetë po kthehet në destinacion elitar turistik. Përgatitjet për sezonin plazhor këtë vit do të nisin që në nëntor dhe me bashkitë bregdetare komunikimi intensiv ka filluar që tani për ta shtruar punën mbarë”, shprehet ministrja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.