Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kush gënjen? U ndalua gjatë kontrollit për vrasësit e Demir Backës në Fier, çfarë ndodhi në 4 të mëngjesit mes tregtarit të perimeve dhe dy policëve

Gjatë kontrolleve për kapjen e autorëve të atentatit, me pasojë vdekjen e Demir Backës, 57 vjeç mbrëmjen e të shtunës në qytetin e Fierit, ka patur një incident mes një patrulle dhe një të riu në pikën e kontrollit në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnjë.

Sipas policisë 28 vjeçari me iniciale A. H është ndaluar teksa lëvizte me makinë në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur efektivët.

Por i riu ka dhene tjeter version. Ai thotë se është dhunuar.

I riu është tregtar fruta-perimesh që ushtron aktivitetin e tij në qytetin e Elbasanit. Ai ka denoncuar dhunën e efektivëve të Policisë duke dalë në media me shenja dhune e fraktura të rënda në fytyrë e kokë.

Amarildo Hoxha tha se është ndaluar për kontroll në autostradë dhe është dhunuar barbarisht nga dy efektivë të cilëve nuk ua di emrat. Ai shton se fillimisht i janë kërkuar dokumentet, leja e qarkullimit dhe patenta, por efektivi është acaruar kur ka parë që Hoxha ishte ‘live’ në rrjetet sociale përmes celularit të tij.

Më pas qytetari tregon se një nga efektivët e ka qëlluar në kokë me tabelën që mbante, tjetri i ka thyer telefonin në kokë. Hoxhaj shton se është mbajtur deri në orën 15:00 duke u dhunuar në komisariatin e Policisë Lushnje.

Më pas familja e ka marrë dhe e ka dërguar në Elbasan aty ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore si dhe ka bërë kallëzimin kundrejt efektivëve.

Pasi ka marrë deponimin e qytetarit, oficeri i Policisë Gjyqësore Lazar Tuni, ka vendosur që qytetari të kryejë ekspertizë mjeko-ligjore, por duke e shtyrë për një ditë tjetër. Ndërkohë, Tuni ka bërë edhe gabime në tekstin e kallëzimit, duke ngatërruar emrin e Amarildo Hoxhës; nuk dihet nëse është veprim.i qëllimshëm.

“U nxorra lejen e qarkullimit dhe patentën dhe ndërkohë isha LIVE në ato momente. Më tha pse del live ti në momentin që unë të kërkoj këto. I thashë s’ke punë me këto ti, merri këto letrat dhe shikoji.

Më morën dhe më tërhoqën zvarrë, më zbritën nga furgoni dhe më dërguan në komisariat. Më goditi polici me grusht, me shqeu derën, tjetri me theu tabelën në kokë e më pas më thyen dhe telefonin në kokë. Deri në orën tre të pasdites nuk dinte asgjë për mua familja.

Njëri mori makinën time dhe mua më hodhën në furgon dhe më goditën me grushte. Asgjë tjetër, mua më lotonte syri gjak, ata talleshin dhe qeshnin. Jam shumë sëmurë, kam marrje mendsh, të vjella. Një nga efektivët u tha më pas nxirreni se do të na vdesë ky djali aty. Familjarët i lajmëroi njëri aty, mik pas miku dhe erdhën. Më solli babi në Elbasan dhe bëra kallëzimin, a ka shtet apo s’ka? Ku të shkoj unë?,”- tregon Hoxha.

Në një njoftim zyrtar, dy orë pas denoncimit, erdhi edhe reagimi i parë nga Policia e Shtetit. Duke mos e mohuar ngjarjen, Policia tregon se në momentin që është ndaluar Hoxha, efektivët ishin vënë në kërkim të vrasësve të Demir Backës, ngjarje e ndodhur një natë më parë në Fier.

Në njoftim sqarohet se Hoxha ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur për jetën efektivët e Policisë dhe për këtë arsye ata e kanë shoqëruar me forcë.

Duke qenë se edhe shërbimet e Policisë edhe Hoxha kanë patur pretendimet respektive, është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e cila ka vënë në dispozicion një oficer të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, për të kryer veprimet dhe çështja është nën hetim e sipër.

Në lidhje me pretendimet e shtetasit A. H., të bëra publike në media, ku akuzon punonjësit e Policisë Lushnjë, për dhunë të ushtruar ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:

“Në kuadër të masave të marra për kapjen e autorëve të vrasjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 23.10.2021, në qytetin e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kishin ngritur pikë kontrolli në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnjë.

Rreth orës 04:40 të mëngjesit të datës 24.10.2021, kanë ndaluar mjetin me targa AA 935 CR ( me drejtues të identifikuar më pas si shtetasi A. H., 28 vjeç, banues në Drenovicë, Berat), i cili ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur  për jetën efektivët e Policisë”- thotë policia.

Gjendur në këtë situata blutë sqarojnë se e kanë shoqëruar të riun me forcë në komisariat. Sipas policisë pasi janë administruar kallëzimet e punonjësve të policisë, kallëzimi i të riut, këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për të shoqëruarin, ky i fundit është lënë i lirë.

“Duke qenë se edhe shërbimet e Policisë edhe shtetasi i shoqëruar kanë patur pretendimet respektive, është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e cila ka vënë në dispozicion një oficer të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, për të kryer hetime.

Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë janë administruar kallëzimet e punonjësve të Policisë, kallëzimi i shtetasit A. H., këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasin A. H.“, shtoi policia.

Një grup pune do të dërgohet në komisariatin e Policisë së Lushnjes me qëllim verifikimin e denoncimit të qytetarit për dhunën që pretendon se i është ushtruar nga efektivët. Policia informon se do të nisë hetim disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të policëve.

“Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për të dërguar një grup pune në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me qëllim verifikimin e rastit dhe nisjen e hetimit disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës” thuhet në sqarimin e policisë.

n.s. / dita