Albania

LAMTUMIRË BARBA PILO!

Nga Alqi ANDONI

Para pak ditëve iu dha lamtumira e fundit birit të shquar të Vunoit, patriotit dhe atdhetarit të palëkundur, shtetarit serioz, qytetarit dinjitoz, familjarit model dhe burrit kockë-fortë, të paharrueshmit Pilo Shanto.

Pilo Shanto lindi në Vuno, më 4 korrik 1924. Traditat patriotike të fshatit, ku u lind, ushqyen shpirtin liridashës të tij qysh në hapat e para të jetës.

Pushtimi fashist e gjen atë nxënës në shkollën Tregtare të Vlorës, e cila u shndërrua në një vatër të zjarrtë revolucionare për të këputur vargonjtë e robërisë dhe të mjerimit. Përgjatë katër viteve që studioi në shkollën Tregtare, Pilo Shanto përqafoi idetë progresiste të kohës, për t’u bërë më pas përçues i tyre. Si rezultat i kësaj veprimtarie klandestine, arrestohet dhe burgoset në qytetin e Vlorës.

Me krijimin e strukturave të lëvizjes antifashiste në Vuno, ai bëhet pjesë përbërëse e tyre për të propaganduar se e vetmja rrugë për ardhjen e lirisë ishte përleshja dhëmbë për dhëmbë me okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ishte bindja e thellë për rrugën e nisur, që më 1 gusht 1943 do të ngjeshte bustinën partizane në kokë dhe maliherin në krah për t’u rreshtuar në çetën partizane të Bregut, nën komandën e Minella Kolekës dhe Zaho Kokës.

Me fillimin e vitit 1944, Pilo Shantos do t’i ngarkohej detyra e rëndësishme si sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Himarës, me qëllim që lëvizja antifashiste të merrte dimensione më të gjera në gjithë këtë krahinë, ku reaksioni ishte i fortë dhe jo me pak influencë. Megjithëse pa mbushur 20 vjeç, falë pjekurisë, përkushtimit, inteligjencës së tij dhe punës së palodhur agjitative në shtresat e gjera të popullit, ai spikati si një nga figurat qendrore të rezistencës antifashiste në gjithë krahinën e Himarës. Arti i drejtimit te ai ishte pleksur me trimërinë.

Këto cilësi ai i manifestoi edhe kur u çua me të njëjtin mision në verën e vitit 1944 në krahinën e Mallakastrës, për të kaluar më vonë si komisar batalioni në Brigadën e XI Sulmuese Partizane.

Çlirimi i Atdheut, nuk ia hoqi rrobat ushtarake nga trupi, prandaj  me gradën e kapitenit në spaleta, u përzgjodh të shërbente në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit, e cila duhej të ballafaqohej me forcat regresive dhe agresive, që në forma të ndryshme banditeske do të tentonin të minonin pushtetin popullor.

Fillimisht Pilo Shanto u atashua në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit në Qarkun e Kukësit, ku reaksioni kishte baza të gjera. Më pas , falë shkollimit të lartë profesional në Moskë, ai do të punonte në aparatin qendror të Shërbimit Inteligjent  si kryetar dege, deri në nivelin e zëvendës drejtorit të Kundërzbulimit të Shtetit.

Gjatë gjithë kësaj veprimtarie, ai shkëlqeu si një nga drejtuesit më rezultativ dhe inteligjent të këtij Shërbimi, veçanërisht në suksesin e jashtëzakonshëm në Radiolojën “Liqeni i Vajkalit”, ku roli i tij qe përcaktues për mashtrimin që ju bë zbulimeve të huaja për 16 muaj me radhë.

Kolonel Pilo Shanto ka zënë vend në memorjen historike të Shërbimit Sekret shqiptar si njëri prej idealistëve, që mprehtësinë e tij e vuri në shërbim të mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të vendit nga kërcënuesit e lirisë, të vënë në shërbim të agjensive  të huaja sekrete.

Pilo Shanto ishte njeri me vlera të spikatura jo vetëm profesionale, por edhe morale. Se qe i tillë dhe kuadër kurajoz, atë e larguan nga Sigurimi i Shtetit qysh në vitin 1967, në kulmin e karrierës dhe moshës vitale, për ta ngarkuar me detyra të dorës së dytë. Se qe burrë me karakter, ai nuk u dekurajua, por mbeti gjithmonë shërbëtor besnik i shtetit dhe ushtar i Atdheut.

Edhe kur doli në pension, mendja e tij e kthjellët nuk u mjegullua, por vazhdoi të punonte për ushqimin shpirtëror të popullit. Kështu ai është konsulent për filmat artistikë “Gracka” dhe “Misioni përtej detit”, ku ai ka qenë vet protagonist në ngjarjet që shtjellohen . Gjithashtu, kur në emër të antikomunizmit u kalua deri në fallsifikimin e të vërtetave historike, Pilo Shanto shkroi librin “Bora filloi”, duke rrëzuar me fakte të pakontestueshme përrallëzat me Kim Filbin, për të afishuar burrërisht se kujt i përket merita në luftën kundër banditizmit politik dhe kujt i faturohet dështimi real i planeve ogurzeza kundër vendit tonë.

Njerës të lajthitur nga padija dhe të  karikuar nga urrejtja ndaj së kaluarës moniste, kanë tentuar ta baltosin  Pilo Shanton, por janë bërë vet pis, pasi e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Pilo Shanto vitet e pleqërisë së thellë i kaloi në Amerikë, pranë fëmijëve. Ai ishte vetëm fizikisht në Amerikë, por me mendje, shpirt e zemër qe pranë Atdheut dhe veçanërisht pranë Vunoit. Ishte amaneti i tij, që kur të mbyllte sytë, të prehej në vendlindje. Amaneti i barba Pilos vajti në vend, falë  dinjitetit të fëmijëve të tij, të cilët të ushqyer me ndjenjat më të mira morale e qytetare nga prindërit e tyre, i mbuluan ata me dheun e ëmbël të Vunoit.

Në ceremoninë mortore të Pilo Shantos, ai u përcoll me dhimbje dhe lotë në sy, por edhe me vargjet e thurura aty për aty nga një prej pjesëmarrësve:

Ike barba Pilo, ike/ Në Vuno erdhe të prehesh/Poshtë Mjegulloshit, ku linde/

Këtu te vëndi rrufeve./

Këtu, ku ti do të tretesh/ Pranë ullinjve shekullorë/ Me rrënjët e tyre do mpleksesh/ Për të mbetur jetësor./ 

Nën ullinjtë, simbol të paqes/Përmbi Jalin e kristaltë,/Koka mbështetur te malet,/ Dhe i shtrirë, me ballin lartë.

Football news:

Lautaro has extended his contract with Inter until June 2026. There are no compensation now
Pochettino on Messi: Guardiola said he can play in any position. He has an exceptional ability to be anywhere on the pitch
Xavi wants Barcelona to sign a fast defender. Cunde from Seville is an ideal option
The owner of Sparta is close to acquiring a 27% stake in West Ham. Later, he will be able to completely buy out the club
Mauricio Pochettino: Messi is the best player in the world with an exceptional understanding of the game
Xavi has been seen as Barca's coach for a long time. He was almost appointed in the winter of 2020
Several Premier League clubs want to sign Hazard in the winter