Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Macron: Mbështetje të plotë Shqipërisë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta ka marrë mesazh urimi nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Në mesazhin e Tij, drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar, Presidenti Mattarella shprehet se “kremtimi i Ditës kushtuar Pavarësisë më jep mundësinë t’ju përcjell Ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj urimet më të përzemërta për një të ardhme të begatë për Republikën e Shqipërisë. Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri”.

“Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit. Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të ngushta, edhe në nivel shumëpalësh si rrjedhojë e të qenit pjesë e Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit të nisur në funksion të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për dyvjeçarin 2022-2023”, thekson Mattarella.

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, tha se “dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019.
Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë”.

“Përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negovciatave të aderimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë”, tha Macron.

Presidenti Macron përshëndet gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të plotë të politikës së  jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.