Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Manja: Angazhim për riintegrimin dhe risocializimin e të dënuarve

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Me rastin e 28-29 Nëntorit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka qenë në burgun e Fierit, së bashku me disa prej drejtuesve më të lartë të pushtetit vendor dhe të zgjedhur në Kuvend të këtij qarku.

Ata ishin të pranishëm në një ditë festive organizuar nga drejtoria e këtij institucioni për personat që vuajnë dënimin në IEVP Fier.

Në fjalën e tij hapëse, drejtori i institucionit, Arjan Hasani ka falënderuar për praninë zyrtarët e lartë, e ndërsa u është drejtuar të dënuarve si “banorë të përkohshëm të këtij institucioni” ka uruar festat e Nëntorit.

Ai ka theksuar se në sajë të punës dhe kujdesit të veçantë, IEVP Fier nuk ka pasur asnjë rast me COVID-19.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja duke iu drejtuar të dënuarve, tha se “juve ju ka dënuar drejtësia për çka keni kryer, por detyra jonë, e të gjithëve ne, është që ju të riintegroheni dhe risocializoheni në shoqëri nesër. Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, trajtimi i të drejtave tuaja, puna e MD, puna e DPB dhe IEVP-ve, do të jenë në fokusin e punës sime, sepse secili prej jush, jeni një prind, jeni një vlla, jeni një bashkëshort, i dikujt përtej këtyre dyerve, dhe përtej këtyre mureve, pasi të lani borxhin me drejtësinë dhe shoqërinë, meritoni të keni jetën tuaj”.

Duke uruar festat e Nëntorit, Manja u shpreh që askush prej personave që vuajnë dënimin, të mos hezitojë t’i drejtohet drejtorive të IEVP, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ankesat, apo problematikat që mund të kenë.

Për kronikë, duartrokitjet më të gjata mes këngëtarëve e humoristëve të ftuar, i mori grupi polifonik i të dënuarve të IEVP Fier.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.