Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Maqedoni, më shumë se 33 për qind e të diplomuarve, të papunë

Maqedonia e Veriut ndër vite po përballet me nivel të lartë të papunësisë. Të dhënat shënojnë rënie në tremujorin e fundit, por ende normat e larta të papunësisë ekzistojnë në mesin e brezave të rinj. Situata e papunësisë te të rinjtë inkurajon në migrimin e tyre, pra të ashtuquajturën “ikja e trurit” nga vendi, gjë e cila rrezikon të ardhmen e vendit. Gjetja e një pune është një sfidë për të rinjtë, veçanërisht për ata që nuk kanë aftësitë të duhura për punë, por kjo sfidë prek edhe ata të rinj të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë.

Të dhënat e fundit të Entit Shtetërorë të Statistikave tregojnë se shkalla e papunësisë për personat e moshës 15 deri në 29 vjeç në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 33.3 për qind, nga 34.3 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i qytetarëve të papunë të moshës së lartpërmendur në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 49.955 persona, dhe numri i të rinjve jo aktivë ishte 211.853 persona. Pjesa dërmuese e tyre kishin një diplomë fakulteti. Edhe pse shifrat tregojnë një rënie të lehtë të papunësisë së të rinjve në vend, një sondazh i kryer mes tyre tregon se pamundësia për t’u përfshirë në proceset e punës në përputhje me arsimin ose pritjet e gjata, po i detyron të rinjtë të largohen nga vendi.

“Ekzistojnë shumë arsye dhe shkaqe se përse të rinjtë janë të papunë. Një nga arsyet kryesore ekonomike është mbrojtja e pamjaftueshme nga ndryshimi i kushteve të punës. Domethënë më shpesh, të rinjtë janë ata që punojnë me kontrata në kohë ose marrëveshje pune. Kushtet e punës në këto kontrata të bëra janë zakonisht më të këqija se ato për një periudhë të pacaktuar kohore. Ndërkaq personat që punojnë me kontrata të tilla janë të pasigurt për sa i përket pagës ose orëve të punës që shpesh ndryshojnë. Përmes kësaj, të rinjtë ndëshkohen në mënyrë të pamerituar dhe kjo i dekurajon ata drejtpërdrejt nga ushtrimi i detyrës“, thotë Viktor Stojkoski, hulumtues në Shoqatën për Kërkime dhe Analiza “ZMAI”.

Sidoqoftë nga kjo shoqatë theksojnë se kushtet ekonomike në vend kanë një rëndësi të madhe për zvogëlimin e papunësisë te të rinjve. “Ne besojmë se shumë më e rëndësishme është të dihet fakti se a janë të gatshme kushtet ekonomike në vend që të mundësojnë mbajtjen dhe ruajtjen e kuadrit të ri. Derisa të krijohen kushtet me të cilat të rinjtë do të vlerësohen në përputhje me kualifikimet e tyre, padyshim që ata nuk do të kenë dëshirë të punësohen në vendin e tyre”, pohon Stojkoski.

Për të zvogëluar papunësinë e të rinjve në vend, Qeveria paralajmëron një pako të veçantë masash që do të stimulojnë punësimin e të rinjve, dhe ndër të tjera, shteti do të paguajë kontribute për ta. “Për çdo të ri që shkon në punë vitin e ardhshëm, shteti do të paguajë kontributet dhe do të ndaj stimuj shtesë. Ata që nuk kanë përvojë praktike do të mbështeten përmes praktikave të drejtpërdrejt të kompanive ku do të punësohen për të pasur aftësitë e tyre praktike, në mënyrë që në fund të kenë të gjitha opsionet për procesin e punës”, tha ditë më parë kryeministri Zoran Zaev, gjatë prezantimit të masave të propozuara për rritjen e përshpejtuar të ekosistemit start up në vend.

Zaevi po ashtu përmendi se do të jepen stimuj për shkëmbimin e përvojës dhe zhvillimin e aftësive praktike tek të rinjtë, të cilët mund të kenë përfunduar një shkallë të arsimit, por që do të jenë konkurrues në treg, paraparë trajnim për të cilën do të ndihmohen nga vetë shteti. Përfaqësuesi i shoqatës “ZMAI” thotë se projekti me të cilin shteti do të financojë punësimin e të rinjve duhet të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës, por shtojnë se subvencionet e planifikuara duhet të jenë në një nivel të kënaqshëm për ta. “Një projekt i tillë duhet të ndihmojë patjetër në përmirësimin e kushteve të punës të të rinjve, dhe natyrisht për sa kohë që subvencionet të jenë në një nivel të kënaqshëm. Nëse subvencionet janë të vogla, projekti nuk do të ketë aspak efekt”, shpjegon Stojkoski. Ata theksojnë se për rritjen ekonomike, është e nevojshme një popullsi produktive e aftë për të krijuar projekte novatore.

Përfaqësuesi i Agjencisë për Punësim të Përkohshëm, Rade Nenadiç, thekson se gjëja më e rëndësishme është që shteti të krijojë një mjedis për një luftë të shëndetshme ekonomike, e cila duhet të rezultojë në një mbulim më të madh të fuqisë punëtore. “Shteti nuk është i detyruar të krijojë vende pune apo të financojë, por ajo që është e rëndësishme për çdo biznes dhe për çdo punë që varet nga shteti është krijimi i kushteve për të bërë biznes, pra përmirësimi i klimës së biznesit. Kur flas për përmirësimin e klimës së biznesit, në radhë të parë kam parasysh përmirësimin e sigurisë së të drejtave, e cila është vendimtare për zhvillimin e biznesit. Në një segment tjetër i rëndësishëm në të cilin shteti duhet dhe mund të ndikojë përmes aktiviteteve të tij, dhe i cili ende nuk është mjaft efikas, edhe pse komuniteti i biznesit tregon për një periudhë më të gjatë, është përmirësimi i arsimit”, deklaron Nenadiç. Ai mes tjerash thotë se nevojitet përgatitje më e mirë e studentëve, përfshirje më e madhe e tyre në proceset e punës përmes mësimit praktik, por edhe drejtimi i nxënësve për të studiuar në shkollat profesionale, në vend të shkollave të mesme të përgjithshme. (koha.mk)