Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Menaxhimi i mbetjeve, Rama: Asnjë buxhet bashkiak nuk do miratohet pa fondet për pastrimin

TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se këshillat bashkiakë nuk do të kalojnë asnjë buxhet të bashkive, nëse nuk prashikohen qartë fondet për pastrimin.

Kryeministri Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një mbledhje me Kryetarët e Bashkive dhe Prefektet per menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.

Rama tha se “ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kryetarët e bashkive për këtë, por fjalët po shterojnë”.

“Ligji parashikon shumë qartë që Kryetarët e Bashkive janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj financiarisht për veprime të kësaj natyre. Ne do të ecim edhe me sanksione deri në marrjen në administrim të bashkisë dhe çuarjen e Kryetarit respektiv të Bashkisë në prokurori. Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk gjejmë partnerët e duhur në territor dhe të garantojmë që Shqipëria të jetë shembull i pastërtisë në sezonin e ardhshëm”.

Rama tha se ndërkohë investime janë bërë dhe ne i kemi pikat fundore, landfillet e mbetjeve, ndaj situata aktuale është e patolerueshme.

“Askush nga ne nuk mundet dot të bashkëjetojë me turpin e pisllëkut. Është e patolerueshme, e papranueshme, ndaj duke filluar nga buxheti i vitit të ardhshëm çdo bashki të vendosë gjithë fondin që duhet për të kontrolluar procesin më së miri. Kjo kërkon kostim, buxhetim, vullnet dhe mirëadministrim”, tha Rama. (vijon)

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.